Vrasja e dyfishtë, deputeti i PD-së: Ne protestuam paqësisht, qeveria përgjak rrugët
Vrasja e Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti në autostradën Tiranë-Durrës ka shkaktuar menjëherë reagime nga kampi demokrat. Në një status në facebook, deputeti i PD, njëkohësisht ish-zëvendësministër i Brendshëm, Gent Strazimiri ka akuzar qeverinë se po përgjak rrugët.
Strazimiri ka shkruar se opozita nuk është ajo që bllokon rrugë e se proteston me lule, por se qeveria është ajo që përgjak rrugët nacionale të vendit, duke bërë që në mes të autostradës të ketë gjak dhe të dergjen trupat e dy të rinjve. Ai shton se shqiptarët duhet të bllokojnë qeverinë, pasi ajo ndjell gjak.
Pikërisht sot pritej të zhvillohej seanca në gjykatën e Krimeve të Rënda. Senacë e cila u shty për shkak të mosparaqitjes së tij. Dalipaj ka qenë zyrtar i lartë i krimit ekonomik në Policinë e Tiranës, ndërkohë që paraditen e kësaj të marte kishte seancën e gjyqit në gjykatën e Krimeve të Rënda. Mesa duket si jo rrallëherë, ata që nuk i gjen drejtësia, i gjejnë përpara ata që ishin të interesuar për ta vrarë.
Statusi i plotë i Gent Strazimirit
Është bllokuar prapë qarkullimi në një prej akseve më jetike të vendit! E ka bllokuar një rrëke gjaku dhe 2 kufoma pa jetë 30 vjeçarësh…jo opozita… “Qeveria që deshët” dhe “Bravo çunat” sapo kanë vrarë një ish-koleg që “po e kërkonin që të fliste por … nuk e gjenin dot…”! Sapo “e gjetën”…por ai prapë nuk flet dot… Përmes aksit të përgjakur, asnjë ambulancë nuk ka mbetur e bllokuar, sepse asnjë nga burrat e “shoqeve” nuk është sëmurë ndërkohë, pasi PARTIA nuk kishte nevojë sot… Gjithsesi “rendi dhe siguria publike nuk janë cenuar”, sepse ligji “Për Tubimet” sot nuk është shkelur… Kaq!!! BLLOKONI “QEVERINË” KUDO QË JENI! ËSHTË MË E SHËNDETSHME SE TË NA BLLOKOJË TË GJITHËVE GJAKU QË QEVERIA DERDH “ME LIÇENCË”!

