Zbardhet skema/ Si u ekzekutua Ervin Dalipaj në ndjekje
Kur kanë kaluar disa orë nga atentati ndaj ish-shefit të krimit ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj, është bërë zbardhja e skemës. Mësohet se Dalipaj po lëvizte me një makinë “Audi”, së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në momentin kur një makinë e zezë i është vënë nga pas.
Ty dyja makinat lëviznin me shpejtësi të lartë në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, ndërsa atentatorët qëllonin me breshëri kallashnikovi në drejtim të Dalipajt.
Mësohet se në një çast, makinat kanë qenë të vendosura paralel me njëra-tjetrën. Në përpjekje për t’iu shmangur, “Audi” i Dalipajt përfundoi më shumë se 50 metra poshtë në autostradë. Makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa gjurmët e plumbave janë të dukshme në pjesën e përparme dhe sidomos në pjesën e shoferit.
Ata kanë qenë me shpejtësi të lartë dhe pas të shtënave pa pushim, automjeti përfundoi në autostradë tejet i dëmtuar, madje i dolën edhe gomat. Sipas burimeve policore, Dalipaj dhe Dauti kanë mbetur të vdekur në vend.
Një fshatar që punonte tokën dhe që pa gjithë skenën, ka treguar se makina e zezë e atentatorëve është larguar në drejtim të Shijakut.
Policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po mbledh gëzhojat për të kuptuar nëse ka pasur apo jo shkëmbim zjarri mes dy makinave. E gjithë zona prej 1 km në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës nuk lejohet për qarkullimin e makinave apo njerëzve, pasi hetimet në vendngjarje vijojnë.
Policia po kontrollon edhe subjektet aty pranë nëse kanë kamera që mund t’ju vijnë në ndihmë për të rënë në gjurmët e atentatorëve. Ervin Dalipaj prej kohësh ishte në arrati, nën akuzën e vrasjes së Gazment Çollakut.

