Zjarri në Vlorë, reagon Policia: Shkak shkëndija elektrike, dy të lënduar me djegie të konsiderueshme
Një zjarr i rënë rreth orës 04:05 në ambientet e hotelit “Brooklyn”, në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, ka shkaktuar plagosjen e gjashtë pushuesve. Pesë prej tyre janë nga Kosova, ndërsa një tjetër nga Rrësheni.
Sipas Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe dyshohet se është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike së një frigoriferi në ambientet e restorantit.
Pesë nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup. Një tjetër i plagosur po merr trajtim në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Nga flakët janë shkaktuar edhe dëme materiale në hotel.
Pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore, Policia ka konkluduar paraprakisht se zjarri është shkaktuar nga priza elektrike e frigoriferit që ndodhej në restorant.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave.
KOHA JONË SONDAZH

