Burri vdes nga tërbimi pasi infektohet nga një lakuriq nate
Një burrë në Illinois, SHBA, vdiq nga tërbimi një muaj pasi ishte infektuar nga një lakuriq nate që kishte gjetur në dhomën e tij. Sipas autoriteteve shëndetësore, ky është rasti i parë në këtë shtet amerikan që prej të paktën vitit 1954.
Burri në fjalë, i cili ishte rreth moshës 80 vjeç, u zgjua një mëngjes nga gjumi me një lakuriq nate në qafë. Pasi lakuriqi u testua dhe doli pozitiv ndaj tërbimit, burri nuk pranoi që të kurohej, tha Departamenti i Shëndetit Publik në Illinois.
Rreth një muaj pas ekspozimit ai nisi të kishte dhembje qafe, dhembje koke, mpirje në gishtërinj, vështirësi në kontrollin e krahëve dhe në të folur, thanë autoritetet shëndetësore. Të martën, CDC konfirmoi edhe diagnozën e të ndjerit. Ndërsa ekspertë të kafshëve të egra gjetën një koloni lakuriqësh nate në shtëpinë e tij.
“Tërbimi ka një përqindjen më të lartë të vdekshmërisë nga çdo sëmundje tjetër”, tha Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Illinois, Ngozi Ezike. “Sidoqoftë, ka kura për të shpëtuar jetën”.
Virusi i tërbimit përcillet nga kontakti i drejtpërdrejtë me një kafshë të infektuar, sipas CDC. Ai sulmon sistemin nervor qendror, duke shkaktuar sëmundje të trurit që më pas çon në vdekje. Sipas CDC, lakuriqët e natës janë përgjegjës për 70% të infektimeve me tërbim në SHBA.