Disidentët iranianë, thirrje për mbylljen e Ambasadave të Teheranit në Europë

Një grup kryesor i rezistencës iraniane po u bën thirrje vendeve europiane që t’i mbyllin ambasadat e Teheranit si përgjigje ndaj përdorimit të supozuar të ambasadave nga ana e regjimit për të organizuar sulme terroriste ndaj kundërshtarëve të tij politikë në kontinent, ka raportuar Fox News në fundjavë.

“Ajo që ne kërkojmë është mbyllja e ambasadave të regjimit iranian,” u tha reporterëve Alireza Jafarzadeh, Zëvendës Drejtor i Zyrës Përfaqësuese në SHBA të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në një konferencë për shtyp në Uashington D.C. javën e shkuar. “Këto marrëdhënie diplomatike e kanë lejuar regjimin të organizojë sulme terroriste dhe vrasje në Perëndim.”

Kjo konferencë lajmesh u zhvillua për të diskutuar publikimin e librit të ri të këtij grupi “Emisarët Iranianë të Terrorit,” i cili kërkon të vërë në dukje përdorimin e ambasadave nga ana e Teheranit për organizimin e sulmeve terroriste ndaj kundërshtarëve politikë në SHBA dhe Europë, shton Fox News.

Swiss Digital Desktop Reklama

Komplotet e mbështetura nga Irani janë shtuar shumë vitet e fundit, veçanërisht në 2018-ën, vit kur NCRI ka regjistruar 10 raste komplotesh terroriste apo arrestimesh me akuza terrorizmi ndaj zyrtarëve iranianë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Disidentët thanë për Fox News vitin e shkuar se ka patur gjithashtu shqetësim të madh lidhur me praninë e regjimit në Shqipëri, ku supozohet se ambasada iraniane po e rrit stafin dhe ka dërguar operativë të lartë të inteligjencës. Shqipëria është e rëndësishme pasi atje janë zhvendosur nga Iraku në 2016-ën 2,000 disidentë iranianë që i përkasin Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Ish-Kryeministri shqiptar Pandeli Majko pati zbuluar për Fox News në atë kohë se zyrtarët amerikanë i kishin thënë se duhet ta forconte sigurinë personale pasi kishin marrë informata për një kërcënim kundër tij. Një zyrtar i lartë amerikan i kundër-terrorizmit tha për Fox News se autoritetet shqiptare kanë arrestuar vitin e shkuar dy operativë iranianë me akuza terrorizmi.

NCRI ka vënë në dukje edhe arrestime dhe komplote të dyshuara në Britani, Gjermani, Turqi dhe SHBA – ku dy iranianë u arrestuan nga FBI në gusht me dyshimin se po mblidhnin informata për MOIS – si shenja të shtimit të lëvizjeve terroriste të Iranit në Perëndim.

Prania e rritur e Iranit në Europë është vënë re në Uashington dhe ka shkaktuar vështirësi për vendet europiane që përpiqen të nxisin mbështetje për paktin bërthamor të 2015-ës me Iranin pas largimit të SHBA-së nga ky pakt vitin e shkuar.

Mes rekomandimeve, më të rëndësishmet janë thirrja e NCRI-së që Departamenti i Shtetit ta etiketojë MOIS-in si FTO  si dhe thirrja që Europa t’i mbyllë ambasadat e Iranit.

“Diplomatët terroristë të Teheranit duhet të sillen përpara drejtësisë ose të përjashtohen, dhe ambasadat e tij duhet të mbyllen. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë qendrat nervore të spiunazhit e terrorizmit dhe kanë rol thelbësor në operacionet terroriste të Teheranit jashtë vendit,” thotë libri.

Ky mesazh i NCRI-së vjen pasi nuk ka kaluar as një muaj që kur Presidenti Trump e damkosi IRGC-në si FTO dhe Pompeo shpalli se SHBA nuk do të japë më lehtësime lidhur me sanksionet për asnjë vend që importon naftë nga Irani.

Javën e shkuar, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha në “Fox News Sunday” se politika e administratës Trump është duke patur një efekt të konsiderueshëm.

“[Kjo politikë] është të ushtrohet presion maksimal mbi regjimin që ta ndryshojë sjelljen e tij, dhe mendoj që po funksionon, dhe mendoj se është kjo gjëja për të cilën ata janë të shqetësuar.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?