Irani paralajmëron sërish Izraelin: “Ka shkelur vijën e kuqe, mund të ndërmarrim veprime”
Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka paralajmëruar sërish për një përfshirje më të gjerë në luftën që po zhvillohet në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit.
Izraeli ka “shkelur vijën e kuqe” në Gaza, çka “mund të detyrojë të gjithë të ndërmarrin veprime“, tha të dielën presidenti iranian.
“Krimet e regjimit sionist i kanë kaluar vijat e kuqe, të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime. Uashingtoni na kërkon të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të gjerë Izraelit”, tha Raisi në një postim në rrjetet sociale.
“Shtetet e Bashkuara i dërguan mesazhe Boshtit të Rezistencës, por morën një përgjigje të qartë në fushën e betejës”, tha Raisi.
Fushata e ashpër ushtarake e Izraelit në Gaza ka ngritur shqetësime se do të hapen më shumë fronte. Irani është aleat i Hamasit, si dhe i Hezbollahut, grupi militant libanez që ka qenë i përfshirë në shkëmbime zjarri me Izraelin në javët e fundit.
Ekspertët thonë se ndërsa Irani është i kujdesshëm për t’u tërhequr në luftën Izrael-Hamas, ai mund të mos jetë në kontroll të plotë nëse milicitë që ai mbështet në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur pasi Hamasi pëson goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet.
KOHA JONË SONDAZH

