Macron përpiqet të qetësojë “jelekët e verdhë”
Presidenti francez, Emmanuel Macron, doli dje para mediave në një përpjekje për të shuar zjarrin e protestave të “jelekëve të verdhë”, që kanë përfshirë vrullshëm vendin për katër fundjava me radhë.
Në një fjalim televiziv të hënën në mbrëmje, i cili zgjati vetëm nën 15 minuta, Macron kërkoi ndjesë për “mosreagimin e shpejtë” ndaj asaj që e quajti përkeqësim i shoqërisë franceze dhe tha se “ndonjëherë mund t’u kem dhënë përshtypjen se kam pasur prioritete të tjera”.
Macron premtoi se qeveria e tij nuk do të taksojë punën jashtë orarit, do të anulojë rritjen e propozuar të taksave mbi pensionet nën 2.000 euro në muaj dhe rritje të pagës minimale. Presidenca franceze më vonë u tha mediave se kjo rritje e pagave do të arrihej përmes rritjes së një pagese të veçantë publike, të cilën Macron kishte premtuar të rriste gjatë fushatës së tij presidenciale.
“Pa dyshim, ne nuk ishim në gjendje për të dhënë një përgjigje që ishte mjaftueshëm e shpejtë dhe e fortë për problemet e klasës punëtore franceze”, tha Macron. “Unë do të marr pjesën time të përgjegjësisë”, tha ai, duke kërkuar ndjesë për “shqetësimin që mund t’u kem shkaktuar njerëzve me fjalët e mia”.
Macron e përfundoi fjalën duke thënë: “Shqetësimi im është vetëm jeni ju. Beteja jonë e vetme është ajo për Francën”.
Qeveria vlerëson se masat e reja do të kushtojnë midis 8 miliardë dhe 10 miliardë euro. Kryeministri francez Edouard Philippe do të punojë për t’i bërë këto masa të pajtueshme me rregullat e buxhetit të BE, tha një zëdhënës i Ministrisë së Financave.
Fjalimi i presidentit francez erdhi disa javë pasi protesta spontane, pa lider, që nisi për taksën e karburantit, mori përmasa masive.
Protesta e “jelekëve të verdhë” ka dominuar diskursin politik francez me javë të tëra. Protestuesit kanë plaçkitur dyqanet përgjatë Champs-Élysées dhe kanë dëmtuar një statujë në Harkun e Triumfit.
Rreth 120 000 policë, forca ushtarake të sigurisë dhe zjarrfikës dolën në rrugë dhe sheshe për të garantuar rendit të shtunën, në një raport thuajse një-me-një me më shumë se 125 000 protestues që u mblodhën në rrugë në qytete anembanë Francës. Në Paris, pronarët e dyqaneve hoqën dorë nga bizneset e tyre, muzetë dhe atraksionet kryesore turistike u mbyllën dhe policia arrestoi 1 082 protestues.
Ndërsa numri i protestuesve të “jelekëve të verdhë” ka rënë në Francë – rreth 125 000 nga 282 000 më 17 nëntor – lista e kërkesave të tyre është në rritje. Ata kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë për zonat rurale dhe ato me të ardhura të ulëta, duke ulur moshën e pensionit në 60 vjeç, masa për të pastrehët, madje disa kanë kërkuar që Macron të japë dorëheqjen si president.
Në fjalimin e tij, Macron e quajti dhunën gjatë protestave “të papranueshme”, por gjithashtu tha se do t’i plotësonte disa nga kërkesat e protestuesve, duke përfshirë rritjen e pagës minimale. Ai gjithashtu u bëri thirrje bizneseve që i kanë mundësitë financiare t’u japin punonjësve bonot e fundvitit dhe premtoi se do të ishin pa taksa.
Megjithatë, ai refuzoi të rikthejë të ashtuquajturën taksë mbi pasurinë mbi asete që tejkalojnë 1.3 milionë euro.
Sipas sondazheve, shumica e popullsisë franceze mbështesin lëvizjen e “jelekëve të verdhë”.
Ndërkohë, protestat janë përhapur në Marsejë, Bordeaux, Lyon dhe Toulouse. “Jelekët e verdhë” kanë zbritur edhe në lagjen europiane në Bruksel. / Politico.eu-
KOHA JONË SONDAZH

