Në grevë urie prej 238 ditësh/Vdes në burg avokatja, miqtë: Peshonte 30 kg
Avokatja turke Ebru Timtik u nda nga jeta pas 238 ditësh greve urie, në shenje proteste për burgosjen dhe dënimin e saj mbi akuzat e terrorizmit. Miq të saj u shprehen se ajo peshonte vetëm 30 kilogramë në momentin kur u nda nga jeta. Avokatja dhe 17 kolegët e saj u akuzuan se kishin lidhje me organizatën e jashtëligjshme “Partia Popullore Revolucionare, ose DHKPC, një grup i cilësuar si terrorist nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Europian.
“Kush ishte Ebru Timtik? Ajo ishte si motra ime e vogël, për 5 vite, ajo ishte kolegia jonë. Gjithashtu, ajo ishte një avokate, ajo mbronte njerëzit në çështje të ndryshme, si masakra apo gjenocide me bazë etnike, për këtë arsye doli përpara gjykatës”, tha Naim Eminoglu, avokat, koleg i Ebru Timtik.
“Ky vend duhet të ndërgjegjësohet se nëse një avokat e paguan me jetë kërkesën e saj për drejtësi, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër për të thënë. Askush në këtë vend nuk është i sigurt”, u shpreh Musa Piroglu, deputet i parlamentit, anëtar i partisë opozitare HDP.
Timtik nisi grevën e urisë në shkurt për të protestuar vendimet e njëanshme ndaj gjyqit të bërë ndaj saj. Partitë opozitare kane ngritur shpeshherë pikëpyetje mbi paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësorit turk, nën pushtetin e presidentit, Rexhep Taip Erdogan, ndërsa shumë organizata juridike raportuan njëanshmëri gjatë procesit gjyqësor.
KOHA JONË SONDAZH

