Shqiptari përfundon në banësë bashkë me makinën, britanikët: Ishim në gjumë

Craig Collins dhe familja e tij ishin në gjumë, kur E. Prendaj përfundoi me makinën e tij Ford Focus në shtëpinë e tyre në rrugën Leigh, duke shkaktuar dëme të mëdha e duke tmerruar personat që ndodheshin brenda.

Prendaj, një shqiptar i cili kishte shkuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, goditi fillimisht dy automjetet e familjes Collins që ndodheshin të parkuara jashtë. Përplasja ishte kaq e fortë sa një prej automjeteve u përplas me shtëpinë. Pjesë tulle e mbetje të tjera ranë fare pak metra larg dhomës ku flinte djali i çiftit Collins.

Duke e përshkruar incidentin si një prej rasteve më të rënda të dhënies së makinës në mënyrë të rrezikshme, gjyqtari Gary Burrell, nga Gjykata e Southmpton e dënoi Prendajn me 12 muaj burg dhe i tha se përballej me deportim nga shteti britanik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas mediave britanike, oficerët e policisë u vunë në ndjekje të shqiptarit pasi mbrëmjen e 8 Nëntorit dalluan automjetin që drejtohej prej tij teksa lëvizte në mënyrë të rrezikshme. Fillimisht ai hapi krahun kur u sinjalizua nga policia, por teksa oficerët po zbrisnin nga automjeti, ai i dha gaz makinës dhe u largua me shpejtësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Efektivët u vunë në ndjekje të tij në autostradë, e gjatë kësaj kohe vunë re që automjeti po nxirrte xixa, që do të thoshte se një pjesë e tij po prekte tokën.

“Oficerët nuk e panë çfarë ndodhi. Ata u kthyen në një kthesë dhe ndryshe nga sa prisnin nuk e panë makinën. Shumë shpejt dalluan makinën e kthyer në anë dhe dy automjetet e tjera që ndodheshin të parkuara jashtë shtëpisë, të cilat ishin të përplasura. Njëra prej dy makinave kishte përfunduar në derë të shtëpisë, ndërsa tjetra në rrethimin e fqinjëve”, tha në gjykatë akuza.

Dëmtimet në shtëpinë e familjes Collins ishin kaq të mëdha sa ata u detyruan të largoheshin për në hotel, ndërsa dëmet e shkaktuara nga shqiptari përllogaritet se kapin vlerën e rreth 40 mijë paundëve.

Avokatja e shqiptarit Prendaj tha se ai kishte pësuar një moment paniku, kur kishte vendosur që t’i ikte policisë. Ai u shpreh i penduar për çfarë kishte ndodhur dhe i kërkoi ndjesë familjes.

Për gjykatësin Burrell mënyra sesi po i jepte makinës Prendaj ishte “çmenduri”. “Mund të kishe vrarë dikë… po i jepje makinës si të ishe i pushtuar”, tha ai, shkruan tv klan.

Përveç dënimit me burg, shqiptarit iu ndalua që t’i japë makinës për të paktën 3 vjet dhe t’i nënshtrohet një testi të gjatë pasi të përfundojë ky afat.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?