Talebanët u ndalojnë vajzave gjimnazin: Në klasa, vetëm djem!

Talebanët ua kanë ndaluar praktikisht vajzave kthimin në shkollat e mesme në Afganistan. Liderët e rinj të vendit morën vendimin që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa, ndërsa vajzat nuk u përmendën gjëkundi.

Kur rrëzoi muajin e kaluar qeverinë e mbështetur nga Perëndimi, grupimi i linjës së ashpër islamike u zotua për një qasje më të butë ndaj femrave, krahasuar me linjën e ndjekur prej tij në vitet 90`, kur grave e vajzave i ndalohej shkollimi e punësimi.

Por urdhri i ri ministrisë së Edukimit shënon veprimin e fundit të talebanëve që përbën një kërcënim për të drejtat e grave.

“Të gjithë mësuesit burra dhe nxënësit duhet të marrin pjesë në institucionet arsimore”, thuhej në deklaratë ku nuk përmendeshin as nxënëset vajza, e as mësueset.

Shkollat e mesme, me nxënës të moshave nga 13 deri në 18-vjeçare, zakonisht ndahen në baza gjinore në Afganistan.Gjatë pandemisë së koronavirusit, ato u mbyllën vazhdimisht por mbyllja më e madhe u vu re pas ardhjes së talebanëve në pushtet.

Shkollat fillore tashmë janë hapur me klasa të ndara veç djemtë e vajzat. Regjimi i ri nuk i lejon vajzat të shkojnë në universitete private, e u ka caktuar rregulla strikte për veshjen dhe lëvizjen.

SHKARKO APP