Vendi më misterioz dhe më i lumtur në botë (FOTO)
Ky shtet misterioz dhe piktoresk, i vendosur midis Indisë dhe Kinës në Azinë Jugore, ishte i pa zbuluar nga turistët deri në vitin 1974. Sot, pas shumë përpjekjesh, turistë nga mbarë bota mund ta vizitojnë Butanin, ndonëse procedurat janë tmerrsisht të stërgjatura, pasi mbreti i vendit përpiqet të kufizojë numrin e turistëve.
Deri në vitin 1999, në Butan ishte e ndaluar rreptësisht përdorimi i televizorit dhe internetit. Pasi u pa që ishte e pamundur të qëndrohej larg teknologjisë, u vendos të anullohej ligji. Butani është vendi i fundit në botë që pati kontakt me televizionin. Për t’u kujdesur për qetësinë shpirtërore, në vitin 2008 u formua Komiteti i Lumturisë. Për më tepër ekziston edhe Ministria e Lumturisë, që përcakton ekuilibrin e vlerave financiare, mendore dhe shpirtërore.
Në Butan, nuk ka asnjë njeri që jeton rrugëve. Nëse dikush humbet shtëpinë apo është i pastrehë, mjafton të drejtohen te mbreti Jigme Khesar Namgyel Wangchuck, i cili menjëherë kujdeset për t’iu dhënë një copë tokë, ku të mund të jetojnë. E qartë pse njerëzit e konsiderojnë veten shumë të lumtur.
Njerëzit vishen me kostume tradicionale; burrat me veshje deri te gjuri, ndërsa gratë me fustane të gjatë. Niveli social i një personi dallohet nga ngjyrat e shallit të vendosur në shpatullën e majtë. Njerëzit e zakonshëm mbajnë shall të bardhë, ndërsa fisnikët dhe murgjit veshje të verdha.
Ndalohet kultivimi dhe shitja e duhanit. Është praktikisht e pamundur të blesh duhan. Turistët duhet të kenë një sërë dokumentesh të nevojshme dhe duhet të paguajnë tarifë nëse duan të marrin cigare me vete. Gratë janë më të respektuarat në vend. Të gjitha pronat, sendet personale dhe pasuritë e tjera i shkojnë vajzës së madhe, jo djalit. Në Butan, është e ndaluar të martohesh me një të huaj. Mbreti kujdeset që të ruajë veçantinë dhe izolimin e vendit nga pjesa tjetër e botës. Gjatë ceremonive martesore, murgjit lexojnë mantra.
Nuk ka trafik në kryeqytetin Thimphu, nuk ka semaforë por kjo nuk është problem për këmbësorët. Në të gjitha rrugët ndodhen policë që drejtojnë qarkullimin. Përkundër gjithë masave të rrepta, njerëzit e Butanit janë shumë miqësorë dhe të lumtur. /Anabel/
KOHA JONË SONDAZH

