Ferma e kafshëve!
Nga Aladin Stafa
Çdo qenie në Tokë duket të jetë bërë për të funksionuar sipas disa rregullave të caktuara bashkë me të njëjtët e llojit të tij. Dhe janë pikërisht këto rregulla që ruajnë balancën në rreshtim, territore dhe influenca, rregulla të cilat zbatimin e ligjit e kanë mjet dhe jo qëllim. Pak rëndësi ka nëse ata jetojnë në ujë, në tokë a kudo gjetkë, këto rregulla të pashkruara funksionojnë njëlloj dhe tek cdo qenie ato kultivohen vazhdimisht gjatë jetës, për t’i shpëtuar cdo keqkuptimi. Do të ishte naive të mendonim, nëse në gjithë këtë histori do të mund të gjenim sadopak moralin. Ai nuk ekziston sidomos kur bëhet fjalë për pushtetin. Apo më keq, zaptimin e tij.
Cdo grupsektor ka punëtorët e tij, të cilët varen nga një drejtues. Ky i fundit nuk është më pak i pavarur. Ai i nënshtrohet një më lart tij. E kështu sistemi vijon. Varësia që prej lart ka gjithmonë një kokë më sipër. Dhe në fund i pari i të gjithëve, ka për detyrë kontrollin e gjithë sistemit. Jo sepse kërkon funksionimin e tij në mënyrë të drejtë e të ndershme por gjithë gjasat janë të ruajë fort pozicionin e tij. Dhe të sistemit sigurisht. Status që don kohë të fitohet, pavarësisht përballjeve e polemikave që mund të ndodhin rrotull. Dhe pak fat sigurisht në këtë rast por asesi ta humbte atë prej zhbalancimit të grupsektorëve poshtë tij.
Njëjtë operon dhe xhungla. Rregullat dhe ligjet e saj janë krijuar për të ruajtur rendin dhe ekuilibrin midis kafshëve. Këto ligje theksojnë respektin, hierarkinë dhe mbijetesën, duke siguruar që çdo krijesë të njohë vendin dhe përgjegjësitë e ‘fermës‘ brenda ekosistemit. Elementi kryesor përfshin ‘Ligjin e Tufës‘, i cili dikton sjelljen e ujqërve. Kush del prej saj, mund edhe të vdesë sepse forca e ujkut është tufa dhe forca e tufës është ujku. Cdo ditë nis me pastrimin prej llumit të djeshëm; pini thellë, thuhet në një proverb, por kurrë shumë thellë.
Dhe nuk duhet harruar se nata është për gjuetinë si sport ndërsa dita për gjumin. Paqja e ruajtur nga ‘zotërinjtë e xhunglës‘- pantera, ariu apo dhe tigri- padyshim rrit në kohë mundësinë e mbijetesës. Mund të vrisni e të ushqeheni për vete, partneren apo dhe këlyshët tuaj por asnjëherë nuk mund ta bëni këtë punë për kënaqësi. Kjo quhet lakmi dhe lakmia është e rrezikshme. Ndërkohë që ‘mbreti´, Luani, ju vëzhgon në heshtje në cdo lëvizje tuajën, një gabim i vogël nga ju, një delir a dëshirë për pushtet për t‘ja zënë atij vendin, padyshim do t‘i japë gjithë të drejtën atij për t‘ju zhdukur- këtë herë me dosjen në dorë se ligji po shkelet dhe nuk mund të shkosh kundër tij.
Edhe pse për humanët aludohet se janë qenie të zhvilluara tashmë, me një nivel të lartë ndergjegjje- të pakta janë rastet kur në një situatë mbijetese apo të një presioni të lartë të mos reagohet nisur prej instiktit, ashtu sikurse kafshët luftojnë në xhungël. E kundërta e Ligjit të Xhunglës në këtë rast do të ishte pikërisht Ligji ynë Modern. Doktrinat që humanët shpikën dhe rregulluan jetën mandej.
Në disa shoqëri, ai arriti të implementohet duke ju larguar primitives, ndërsa ishte aq i kujdesshëm të ruante sistemin. Individë jo të zakonshëm apo grupe të fuqishme më së shumti ruajnë versionin e tyre të drejtësisë dhe madje luftojnë për të. Kjo është dhe arsyeja përse drejtësia shpesh është arbitrare dhe e bazuar mbi vlera, duke çuar në mungesë besimi dhe stabiliteti brenda sistemit dhe shoqërisë. Por ndërsa parimet e një procesi të rregullt ligjor, prezumimi i pafajësisë apo dhe e drejta për një gjykim të ndershëm sigurojnë që drejtësia të zbatohet në mënyrë të saktë dhe të qëndrueshme, atëherë na lind me vend pyetja;
Cili është qëllimi i drejtësisë- dënimi apo gjetja e së vërtetës? Për Sokratin, drejtësia ishte një vlerë themelore që lidhej me virtytin dhe moralin. Sipas tij, drejtësia nuk u reduktua në respektimin e ligjeve apo normave të vendosura nga shoqëria, por kishte të bënte me sjelljen etike të çdo individi. Një sjellje kjo që vështirë të mos joshet prej materializimit që së fundmi njeriu i ka bërë realitetit, bashkë me pangopësinë dhe egon për të dalë i pari i të parëve. E për sa kohë të jemi në Tokë, drejtësia do të jetë një faktor kyc në funksionimin e shoqërisë sonë, një peshore e cila do të anohet e kontrollohet gjithmonë prej më të fortit, si një mjet për të diktuar të ´vërtetën absolute´.
KOHA JONË SONDAZH

