Maskarada zgjedhore dhe karremi i Ramës për PD me Presidentin
Nga Leonard Karaj –
Propozimi i Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës për “presidentin e ri” është më e pakta hipokrizi. Është fyerje e rëndë e demokracisë në vend nga një Kryeministër, i cili për të çuar deri në fund inatin e tij, është i gatshëm për gjithçka (kuptohet përveç kolltukut të Kryeministrit). Është qasja tipike e një hajduti ordiner, që pasi të vjedh shtëpinë, kërkon të bëjë paqe me ty, duke të “të falur” pajën e komshiut (edhe atë të vjedhur nga po vetë ai). Ndaj do të ishte çmenduri politike dhe vetvrasje morale për çdo demokrat, nëse Basha bie në këtë qorrsokak dhe pranon një pakt të tillë.
Në fund të ditës, për çfarë i duhet PD-së presidenti(!?) Thjesht për të pasur një vend pune për dikë dhe për disa nënpunës(?!) Nëse do ishte kështu, atëherë PD-ja, më mirë të shkrihet dhe të bëhet shtojcë e “Rilindjes”, ndërsa Basha të marrë teserën e PS-së. Pasi kur përballë ke një mazhorancë tejet të korruptuar, si kurrë ndonjëherë në këto 30 vite demokraci, e bërë njësh me krimin, afërmendsh që Shqipërisë i duhet veçse një opozitë e qartë, e sinqertë, tejet agresive dhe asesi një forcë politike që bën pazare (qoftë edhe për një vend pune ordiner dhe jo më për pozicionin e presidentit), me atë që i vodhi “ditën për diell”.
Madje, Lulzim Basha akoma nuk është artikuluar në mënyrën më të qartë të mundshme, çka do duhej ta kishte bërë, pa lënë asnjë ekuivok, mbi ftesën tinzare dhe diversive të Edi Ramës. Të bësh ose të pranosh një pakt me Kryeministrin, për çfarëdolloj inisiative (politiko-morale, apo edhe me konotacion gjoja europianist), sot është njëlloj si të kesh tradhëtuar hapur çdo votues të PD-së, që më 25 prill besoi tek lidershipi yt. Është njëlloj sikur të kesh legjitimuar vjedhjen. Është njëlloj sikur të kesh kesh shkelur mbi çdo parim njerëzor, kryesisht dhe veçanërisht të atyre që të kanë votuar.
Në fund të ditës, mazhoranca i ka të ka numrat për ta zgjedhur vetë presidentin e ri, kurdo që të vijë ai moment, ndaj përse iu dashka që të bëhet kaq “zemërgjerë” me opozitën(!?) Duket qartë se kemi të bëjmë me një lojë të fëlliqur politike, ku sigurisht Lulzim Basha, nëse nuk ka ndërmend që të dalë shumë shpejt në pension, duhet ta refuzojë kategorikisht, madje pa u muenduar fare. Çdo pakt, sado i vogël, apo vulgar në dukje, me Ramën, thjesht do të legjitimonte këtë të fundit. Dhe atëherë kreu i PD-së do duhet të pranojë pa asnjë rezervë “humbjen me nder” më 25 prill, duke mos bërë as kontestimin më të vogël.
Duhet qartësuar se tek PD-ja në veçanti dhe opozita në përgjithësi nuk ka një çështje: “të shpëtojmë presidentin” apo “të shkëputemi nga Berisha dhe Meta”. Ide të tilla prodhohen për konsum ditor politiko-mediatik vetëm nga mendje të sëmura, në shërbim të verbër ndaj Edi Ramës dhe “Rilindjes” së tij. Dhe nuk është e rastësishme që eksponentë mediatikë, dukshëm përkrahës të Ramës, prej kohësh kanë nisur gjoja një lloj “fushate pajtimtare” mes Kryeministrit dhe kreut të opozitës. Madje pas 25 prill, ndonëse tema kryesore do duhej të ishin zgjedhjet, një varg i madh emisionesh politike, janë marrë më shumë me shashkën e mazhorancës për shkarkimin e Metës, duke dashur kësisoj që qëllimisht të largojnë vëmendjen e qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve nga maskarada elektorale.