Më jepni veç një arsye pse Rama duhet të qëndrojë në pushtet!
Nga Elona Caslli, aktiviste
Edi Rama ka qenë kryeminstër i Shqipërisë për plot 8 vite. Nuk janë tetë sekonda. Nuk janë 8 minuta. Nuk janë tetë orë. Nuk janë tetë ditë. Nuk janë tetë javë. Nuk janë tetë muaj. Janë plot tetë vite.
Në fund të mandatit të dytë Edi Rama gjendet me një ligjërim politik, që nuk bazohet mbi bilancin e qeverisjes së tij për dy mandate, por bazohet mbi të ardhmen e dëftores. Me pak fjalë, Edi Rama nuk përdor të kryerën e thjeshtë “Ne bëmë”, por përdor veç të ardhmen e dëftores “Ne do të bëjmë”.
Kur kërkon një mandat të tretë ,duhet të bësh një bilanc të dy mandateve. Bilanci i dy mandateve të Edi Ramës mund të përmblidhet në 3 pika;
-Shpopullim
-Betonizim
-Kanabizim
Paterica e vetme që i ka mbetur Edi Ramës është procesi i rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Kërkesa e tij për një mandat të tretë mbështetet tek një fatkeqësi natyrore. Një fatkeqësi kombëtare si Edi Rama, që mbështetet tek një fatkeqësi natyrore si tërmeti.
Lind pyetja-Nëse nuk do të kish rënë tërmet, ku do ta mbështeste Edi Rama kërkesën e tij për një mandat të tretë? Ndaj, kur të thoni se nuk ka asnjë arsye që Lulzim Basha të vijë, duhet të pranoni që nuk ka edhe asnjë arsye që Edi Rama të qëndrojë.
Edi Rama para se të zotohet se çfarë do të bëjë, të shfaqë bilancin e tetë viteve qeverisjeje mbi atë që ka bërë.
Post Scriptum- Fatkeqësia natyrore nuk është program politik i përmbushur, që është konkretizuar në premtime të mbajtura për plot tetë vite. Fatkeqësia natyrore është fatkeqësi natyrore.