Nëntori, muaji i festave?
Nga EDMOND TUPJA
Kisha kohë, ndoshta dy a tri dekada, pa e dëgjuar këtë togfjalësh në gojën e një shqiptari, por ja që e dëgjova këto ditë dhe jo, veshët nuk më gabuan: “Nëntori, muaji i festave”. E dija dhe e di që 28 nëntori i vitit 1912 është dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për çka edhe e djathta, edhe e majta janë absolutisht të një mendimi; mirëpo e dija dhe e di, pikërisht prej dy a tri dekadash, se e djathta dhe e majta ende debatojnë për të përcaktuar në ç’datë u çlirua plotësisht Shqipëria nga zgjedha nazifashiste, më 28 nëntor 1944 apo një ditë më vonë.
Por, kësaj here, m’u kujtua se muaji i festave, dikur, në kohën e diktaturës hoxhiste, përfshinte kronologjikisht 7 nëntorin, ditën e ngadhënjimit të revolucionit bolshevik në Rusinë cariste, dhe 8 nëntorin, ditën e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë me nismën e me qëllimet ogurzeza të komunistëve jugosllavë.
Qeveria e sotme me në krye zotin (për pak mend shkrova “shokun”, kërkoj ndjesë) Edi Rama, nëpërmjet një komisioni special, e paska zbukuruar shëtitoren e “Dëshmorëve të Kombit”, ndër të tjera, me fotografitë e një numri heroinash e heronjsh të popullit, si edhe dëshmoresh e dëshmorësh të atdheut (me siguri të përzgjedhur në bazë kriteresh ndoshta edhe të diskutueshme, për të mos thënë subjektiviste), në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesi nazifashist.
Po, në vështrim të parë, ky veprim më duket i drejtë, aq më tepër që prindërit e mi kanë qenë të dy partizanë që nga gushti i vitit 1943 e deri në çlirimin e plotë të vendit. Të dy, shqiptarë në radhë të parë dhe anëtarë të Partisë Komuniste në radhë të dytë, ata dolën malit dhe rrëmbyen armët me synim që, me tërë bashkatdhetarët, të jetonin të lirë dhe, sipas shprehjes së tyre, të hanin me lugë floriri.
Pavarësisht sesa të lirë jetuan nën zgjedhën e armikut të brendshëm, pra, të xhelatit Enver Hoxha dhe të shpurës së tij, pavarësisht se çfarë hëngrën, me çfarë e hëngrën, si e hëngrën dhe ku e hëngrën për 45 vite rresht, tërë ato dhe ata që çliruan vendin, me përjashtim të një numri prej tyre, që u kthyen në kriminelë duke vrarë, torturuar e internuar shoqet dhe shokët e luftës e të pasluftës, meritojnë e do të meritojnë përherë respektin tim të palëkundshëm.
Duke kaluar pardje në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, i këqyra një nga një të gjitha fotografitë në fjalë, duke u lexuar emrat e mbiemrat dhe, pasi u ula diku për të pirë një kafe, rashë në mendime: Po sikur të ringjalleshin dhe të vinin mes nesh e të shihnin sesi është katandisur atdheu i tyre, për çlirimin e të cilit ata dhanë e do të jepnin sërish jetën, çfarë do të mendonin heronjtë dhe dëshmorët tanë të Luftës Nacionalçlirimtare, fotografitë e të cilëve sodisin të heshtura shëtitoren që mban emrin e tyre? Çfarë do të mendonin ata për ndryshimet që ka pësuar, shumë më tepër për keq sesa për mirë, vendi i tyre?
Çfarë do të thoshin për korrupsionin e frikshëm, për kriminalitetin e llahtarshëm, për pasigurinë rrëqethëse të jetës së përditshme e sidomos të përnatshme, për trafiqet e paligjshme, për papunësinë masive, për shtrenjtimin e jetesës dhe për varfërimin galopant të shtresave në nevojë të popullsisë, për mërgimin e pandalshëm të të rinjve, për bjerrjen e pareshtur të trurit, për betonizmin shterpëzues të qyteteve e të luginave, për ndotjen vrastare të mjedisit? Si do të reagonin ata kur të mësonin për lidhjet e pushtetarëve me oligarkinë financiare, me kriminelët, me narkotrafikantët vendës e të huaj?
A do të pajtoheshin ata me shprehjen “E keqja s’paska fund!”, që shqiptarët e zhgënjyer thonë mes tyre ditë për ditë dhe përherë e më dendur? Mos vallë do të qëndronin indiferentë para këtyre dukurive tronditëse? Mos ndoshta, të befasuar nga realiteti i hidhur që do të konstatonin, do të ligështoheshin e do të nxirrnin përfundimin se sakrifica tyre e madhërishme paska shkuar kot? Apo… apo nën trysninë e paimagjinueshme të dëshpërimit më shpërthyes do t’ia merrnin këngës patriotike “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri, / O djem rrëmbeni pushkëtë, ja vdekje, ja liri!”?