Për diktatorët
Nga: Xhon Gunter*
Gjithë diktatorët janë anormalë. Ky është një fakt aksiomatik. Asnjë njeri në gjendje normale nuk mund ta marrë përsipër qeverisjen e një kombi në mënyrë diktatoriale, duke llogaritur se sqima e një njeriu normal nuk është mjaftueshmërisht e aftë për të marrë përgjegjësi të tillë. Përgjithësisht diktatorët janë thellësisht neurotikë.
Qemal Ataturku bënte një jetë personale të rrëmujshme; Dollfussi vuante nga kompleksi i inferioritetit; Musolini, siç e tregoi lufta e Abisinisë, qe megalloman; Stalini qe një kriminel i rëndomtë që gjatë rinisë së vet vetëm hidhte bomba. Psikiatri i madh vienez, doktori Wilhelm Sketel, që shpjegon neurozën e diktatorëve dhe vullnetin e shumicës së njerëzve për t’iu nënshtruar një qeverie diktatoriale, e quan këtë anormalitet “kompleksi i autoritetit”.
Duhet filluar që nga fëmijëria. Tek të gjithë fëmijët, sipas Sketelit, ekziston një luftë midis instikteve të vetë njeriut dhe asaj çka i mëson bota e jashtme që e rrethon. Kështu për shembull, fëmijëve u pëlqen të rrijnë të pistë, por edukata u kërkon të jenë të pastër. Edukimi është një sforcim për ta formuar fëmijën, edhe pse bie ndesh me instiktet e veta të origjinës. Edukimi është rezultat i autoritetit. Autoriteti bëhet për fëmijën një armik, sepse e detyron të heqë dorë nga instiktet e veta.
Autoriteti i parë përfaqësohet nga prindërit. Në qoftë se prindërit janë të dobët dhe fëmija është një rebel i dukshëm, vijnë atëherë autoritetet e tjera: autoriteti i fëmijëve më të rritur, autoriteti i mësuesve dhe në ndonjë rast autoriteti i ligjit, pastaj autoriteti që është mbi të gjithë, ai i fesë. Arma e fundit që përdorin të mëdhenjtë në edukimin e fëmijëve është shprehja: Zoti do të të dënojë.
Qysh nga viti 1914 kompleksi i autoritetit filloi të dobësohej. Familja tashmë nuk përbënte më një unitet të shenjtë si më parë. “Vetë prindërit – thotë Sketeli – nuk u përgjigjeshin rregullave morale që kërkonin prej fëmijëve të tyre”. Menjëherë fëmijët u rebeluan përpara kësaj padrejtësie. Prindërit u munduan t’u impononin qorrazi ose mendjelehtësisht disa norma që ata vetë nuk i përfillnin, gjë që la tek bijtë vetëm një alternativë: atë të hakëmarrjes, duke iu shmangur detyrimeve atërore.
…Kësisoj, u diskreditua parimi i vjetër i pushtetit dhe kompleksi i autoritetit dështoi. Si rezultat erdhi vala e diktatorëve. Hitlerët dhe Musolinët erdhën për të zëvendësuar autoritetin e humbur të prindërve. Njerëzit e mohuan autoritetin, po nuk mund të jetonin aq lehtë pa të. Bijtë u rebeluan kundër prindërve të tyre dhe Musolini, Hitleri, Pilsudski, Aleksandri i Jugosllavisë, Dollfussi, Qemal Ataturku, Stalini, etj., i zëvendësuan ata.
Bijtë modernë u ndeshën me paaftësinë e prindërve të tyre dhe për pasojë kërkuan një udhëheqës të jashtëm.
SI QEVERISIN DIKTATORËT
Në themel, çdo qeveri është një kombinim dinak i frikës me dashurinë. Diktatorët shtojnë dinamizmin e këtij procesi. Aleksandri i Jugosllavisë përpiqej t’i bënte për vete rebelët kroatë dhe, në të njëjtën kohë, donte t’i nënshtronte ata. Austriaku i vogël Dollfuss i vrau socialistët duke i sulmuar me zjarr artilerie dhe pastaj u kërkoi falje. Hitleri qe i dashur për shumë simpatizantë të tij, megjithatë e konsiderojnë se Shën Bartolemeu i 30 qershorit* qe diçka e nevojshme.
Pse nuk e mohon individi autoritetin e diktatorit ashtu siç mohoi autoritetin atëror pas Luftës së Parë Botërore? Çështja, sipas Sketelit, është se dyshimi që mund të ketë individi për diktatorin zvogëlohet ndërkohë që shtohet sasia e njerëzve të cilët shkojnë pas tij. Sa më i madh është numri i ndjekësve të tij, aq më i vogël bëhet dyshimi për të.
“Një epidemi psiqike adhurimi” përhapet në mbarë kombin, për t’iu nënshtruar e për t’iu shtrirë tek këmbët diktatorit. Veç kësaj – thotë Sketeli, – sa më shumë bashkohet populli me diktatorin, aq më shumë inferioriteti i tij kthehet në autoritet. Populli identifikohet me diktatorin, duke marrë pjesë në autoritetin e tij. Për pasojë shumica arrin të bëhet pjesë e shpirtit dhe e esencës së tij. Po ashtu diktatori bëhet pjesë e tyre.
Kështu vetë populli ndihmon në kompleksin e autoritetit të diktatorit. Për shembull, gjermanët thoshnin se nuk ishte se ata luftonin për Hitlerin, po Hitleri luftonte për ata. Shumica e italianëve besonin se Musolini nuk e donte pushtetin për vete, por për të mirën e Italisë.
Bindja dhe rebelimi, dashuria dhe urrejtja, kombinohen, thotë Sketeli; diktatori arrin të shndërrohet në shpëtimtar.
…Diktatorët janë përgjithësisht neurotikë, sepse vetë ata vuajnë nga shtypja e kompleksit të autoritetit, vetë ata janë rebeluar, dikur në adoleshencë, kundër autoritetit. Ata ishin, në përgjithësi, persona të një mentaliteti ose vullneti superior dhe pas një fëmijërie të keqe, rebelimi i tyre triumfoi duke u hakëmarrë ndaj prindërve dhe duke u imponuar të tjerëve vullnetin e tyre. Kësisoj, u bënë etër, jo më të një familjeje, po të një kombi.
Pothuaj tërë diktatorët, me përjashtim të Aleksandrit të Jugosllavisë, lindën të varfër. Musolini dhe Stalini qenë shumë të varfër. Disa diktatorë të tjerë si Hitleri, patën një fëmijëri të dështuar. Dollfussi ishte me origjinë të përvuajtur. Diktatorët duan të kompesojnë adoleshencën e tyre të hidhur, duke kërkuar pushtetin dhe pastaj lavdinë. Por pushteti dhe lavdia, ndërkohë që arrihen, mund të duken tepër të varfëra, të pamjaftueshme. Për këtë Hitleri kërkonte strehë tek muzika, Musolini argëtohej duke udhëtuar në mënyrë marramendëse.
Diktatorët mbërrijnë në pushtet me shumë lehtësi, thotë Sketel, sepse ne, njerëzit e thjeshtë, mundohemi të fajësojmë dikë për krizën dhe ajo që kemi më pranë, gjëja që na duket më e lehtë dhe më komode për ta fajësuar, janë institucionet tona. Kështu institucionet rrëzohen për t’u lënë vend diktatorëve.
Diktatorët e mbajnë pushtetin, po ashtu, me lehtësi nga që dhuna është e lidhur me sistemin e tyre dhe ne, njerëzve të thjeshtë, po të flasim hapur, na pëlqen frika.»
*(Përktheu Bajram Karabolli. SHËNIM: Xhon Gunter (John Gunther) (1901 – 1970) gazetar dhe autor amerikan. Fragmentet e mësipërme janë marrë nga libri i tij “Drama e Evropës”)