SPAKU nuk do të mundet të bëjë sërish të njëjtën gabim!
Nga Gentian Çala
SPAKU i krijuar me aq shumë sforcim politik dhe investim ndërkombëtar, po duket më shumë si mision “arkeologjik”, sesa si instrument i drejtësisë për korrupsionin dhe veprat penale të njerëzve me pushtet. Ping-pongu me dosjen 184 me Gjykatat e nivelit të parë, duket më shumë si taktikë kohë-shteruese për afatet e gjykimit. Shqiptarët nuk janë as leshko dhe as veshpambuk për të mos e kuptuar dallaveren me tjetërsimin e votës në Dibër. Atë që e di gjithë Dibra, nuk e di Drejtësia. Kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe mjaft shqetësuese duke qenë se në vigjilje janë votimet e ardhshme parlamentare.
Qeveritarët mund ti thonë gjithkujt bli vota, bëj presion për vota, paguaj…se SPAK-u apo institucionet e drejtësisë së re nuk të ngasin, nuk të bëjnë asgjë. Ky ishte mesazhi i rastit të dosjes 184. Pushteti dhe paraja janë ngasje më e madhe se frika e ndëshkimit nga ligji. Ky raport i përmbysur thellohet me rastin e sipërpërmendur. Ndaj nuk duhet befasuar askush nëse duart zgjaten tej kufizimeve ligjore në zgjedhjet e 25 Prillit. Kjo është kambanë për veshët që duan të dëgjojnë. Nëse preken zgjedhjet e ardhshme, ajo që mund të ndodhë më pas, mund të jetë e paparashikueshme. Stabiliteti i vendit varet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sepse nëse i mbyll sytë gjykata, nuk i mbyll populli.
Investimi në para dhe kohë i partnerëve dhe i politikës së Tiranës nuk mund të hidhet në kosh për pushtetin dhe tekat e askujt. Instrumenti i krijuar për drejtësi nuk mundet të prodhojë padrejtësi. SPAK-u nuk mundet të jetë “Fshirësja” e tjetërsimit të votës. Për aq kohë sa kjo prodhon destabilitet, askush nga partnerët apo jo pushtetarët, nuk e toleron atë. Nëse ka nga ata që nuk e kuptojnë dot rëndësinë e situatës, besoj se u duhet thënë. Mos harroni se SPAK-u nuk mundet të bëjë dy herë të njëjtin gabim. Krimi zgjedhor do të hetohet nga SPAK-u! Ndaj hapni sytë! Ata që e kaluan lumin këtë herë, nuk duhet të mendojnë se kjo bëhet bis. Kësaj here do të jetë ndryshe! Nëse e bëjnë, do të kenë fatin e përbashkët me qeverinë …