Thoma Gëllçi:Përse nuk na dhanë vendin e parë?
Mbaj mend se në kohën e komunizmit kur në fshat kishim vetëm bukë misri dhe duhet të kishim ndonjë mik të fortë në qytet që të blinim ndonjë bukë gruri të ngrënshme, kur në raftet e dyqaneve “kishte rënë karkaleci”, kur nëpër shtëpia në qytete ndaheshin tallonet e ushqimit dhe radhët e qumështit fillonin me 1 të natës etj etj, Shqipëria mori çmimin e parë në botë për ushqimin e popullsisë.
Të uritur ishim dhe një copë mish kishim kohë pa e parë, por ama çmimi na ngushëllonte: përderisa ne ishim të parët në mirëushqyerjen e popullit, merreni me mend vetë se në çfarë skamjeje jetonte bota borgjeze dhe revizioniste. Pra, logjika ishte e thjeshtë: nëse ne, në këtë gjendje, ishim të parët, atëherë të tjerët duhet të ishin shumë më keq. Dhe kjo na mjaftonte. Nuk kërkonim shpjegim tjetër.
Kjo histori mu kujtua kur dëgjova kryeministrin e vendit që tha se Shqipëria kishte zënë vendin e nëntë në sigurinë kibernetike. U habita, të them të drejtën, sepse i kemi ende të freskëta sulmet kibernetike që na kanë ndodhur, që na kanë vjedhur dhe nxjerrë në shesh edhe zorret e barkut, që të gjitha IT e qytetarëve i gjen online, që të gjitha rrogat i dolën online dhe që serverat qeveritarë herë pas here bien nga ndonjë sulm i papritur. Jo më shumë se pak kohë më parë dëgjuam se hakerat (sigurisht gjithmonë “iranianë” sipas versionit zyrtar) kishin sulmuar serverat e parlamentit shqiptar dhe kishin marrë nën kontroll emailet. Sipas njoftimeve, kishin marrë disa të dhëna, por nuk kishin bërë dëm.
I habitur siç isha, por edhe kurioz si njeri që nuk beson lehtë, iu drejtova burimit përkatës që na ka dhënë vendin e 9-të. Hapa faqen e organizatës dhe prisja që kjo e dhënë të ishte e gabuar ose e keqinterpretuar. Por jo. Ishte aty, e shkruar qartë: Shqipëria në vendin e nëntë në botë për sigurinë kibernetike.
Këtu fillon pjesa interesante.
Prapë kurioz fillova të shfletoj më tej për të parë ku qëndronin shtetet e tjera në këtë klasifikim. Ku qëndronte Japonia, për shembull, vendi i njohur për teknologjinë e lartë. Kur na vjen në mend fjala teknologji, na vjen menjëherë në mendje një japonez. Por sipas listës, Japonia është në vendin e 34. Australia në vendin e 21. Austria në vendin e 26. Kroacia në vendin e 33. Britania e Madhe në vendin e 31. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vendin e 30. Bullgaria në vendin e 36 dhe Kina në vendin e 67.
Pra, sipas këtij klasifikimi, Shqipëria është përpara të gjithëve këtyre.
Grekët i kemi lënë prapa. Janë në vendin e 24. Edhe italianët janë pas nesh, në vendin e 20.
Amerikanët, siç thashë më lart, janë në vendin e 30. Vendi që ka zhvilluar dhe shpikur internetin, inteligjencën artificiale, që ka Microsoft dhe Apple, që ka Google dhe Tesla, që ka CIA dhe FBI, që ka bankat më të mëdha dhe menaxhon dollarin e gjithë botës, që ka ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në botë, qenka shumë prapa Shqipërisë në rankimin botëror për sigurinë kibernetike.
Interesant ky rankim.
Kam dy ditë që vras mendjen dhe nuk i jap dot shpjegim një rezultati të tillë. As shembulli i çmimit për ushqimin e popullsisë nuk më ndihmoi fillimisht. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për propagandë të brendshme, por për një klasifikim ndërkombëtar. Pra, dikush jashtë nesh e ka thënë këtë.
Atëherë, si shpjegohet?
Kur papritur mu kujtua një histori kur unë vetë punoja në kryeministri dhe isha këshilltar i kryeministrit. Në kohën kur kryeministër ishte Ilir Meta, mora pjesë në një vizitë zyrtare në Washington. Gjatë një takimi me Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Janet Reno, ajo pyeti: “Si jeni me krimet kibernetike në Shqipëri?”
Përgjigjja ishte e drejtpërdrejtë: nuk kishim krime kibernetike.
Ajo u habit. “Shumë mirë,” tha. “Bravo. Ne këtu kemi shumë probleme me krimet kibernetike. Ju lumtë që e keni zgjidhur këtë punë.”. Në fakt, arsyeja ishte e thjeshtë: nuk kishte pothuajse fare teknologji. Interneti ishte shumë i kufizuar, sistemet ishin manuale dhe hapësira digjitale ishte minimale. Pra, nuk kishte krim kibernetik sepse nuk kishte terren ku ai të ndodhte.
Dhe këtu fillon të marrë kuptim edhe vendi i nëntë.
Sepse ndoshta problemi nuk është se ne jemi më të fortë se të tjerët. Ndoshta problemi është se mënyra si matet “siguria” nuk ka lidhje me atë që përjeton qytetari çdo ditë. Ndoshta vlerësohen strategjitë në letër, dokumentet, ligjet, strukturat, planet kombëtare, raportet dhe prezantimet. Dhe këto, siç dihet, ne i bëjmë shumë mirë.
Pra, mund të ndodhë që në letër të jemi shumë të sigurt, ndërsa në praktikë të kemi probleme të përditshme.
Si atëherë me bukën.
Atëherë kishim çmimin e parë në botë për ushqimin, ndërkohë që njerëzit rrinin në radhë për qumësht.
Sot kemi vendin e nëntë në botë për sigurinë kibernetike, ndërkohë që të dhënat dalin në internet dhe sistemet bien.
Ndryshon vetëm fusha.
Logjika mbetet e njëjtë.
Megjithatë, pas gjithë këtyre hulumtimeve, mua më mbeti në mendje një pyetje: pse nuk na dhanë vendin e parë?
KOHA JONË SONDAZH

