
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti hedh poshtë pretendimet për përfshirjen e subjektit të tij politik në organizimin apo nxitjen e protestave që po zhvillohen në Shqipëri. Kurti ka theksuar se partia që drejton aktualisht është në pushtet dhe nuk ka asnjë rol në zhvillimet protestuese në shtetin shqiptar.
“Ne jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese”, ka deklaruar Kurti, duke kundërshtuar zërat që po përpiqen t’ia atribuojnë Vetëvendosjes organizimin e protestave.
Ai ka rikujtuar edhe periudhën kur Vetëvendosje ishte në opozitë dhe organizonte protesta, duke thënë se partia nuk është fshehur asnjëherë pas organizimeve anonime.
“Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonim. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes gurit e fshehjes së dorës”, është shprehur ai.
Në të njëjtën paraqitje, Kurti ka përcjellë edhe mesazhin se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të shihen përmes rivalitetit politik, duke theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë.