Ekspertët: Aktakuza ndaj zotit Trump, provë për demokracinë amerikane

Të martën zoti Donald Trump do të dalë para një gjykatësi në Manhatan, duke shënuar rastin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që një ish-president përballet me akuza penale. Detajet e aktpadisë ende nuk janë bërë publike.

Gjatë tubimeve të tij, zoti Donald Trump i inkurajonte shpesh mbështetësit e tij në thirrjet për ta dënuar demokraten Hillary Clinton.

Por tani, vetë zoti Trump përballet me akuza penale lidhur me pagesën prej 130 mijë dollarësh për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë në prag të zgjedhjeve të vitit 2016.

Ish-Presidenti Trump ka mohuar çdo keqbërje dhe ka akuzuar prokurorin e Manhatanit, demokratin Alvin Bragg, për “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht për të penguar kandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Presidenti Biden nuk pranoi të komentonte kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për protesta të mundshme.

Në Nju Jork, një grup i vogël protestuesish thonë se zoti Trump duhet të përballet me një gjyq të drejtë përballë akuzave të ngritura nga një juri e përbërë nga amerikanë të zakonshëm.

Mbështetësit e zotit Trump dolën në rrugët e qytetit West Palm Beach të Floridës, pranë vendit ku jeton ai. Zoti Trump pati bërë thirrje për protesta masive nëse ndaj tij ngrihej aktipadia. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se mbarë bota do të shikojë nëse protestat do të jenë paqësore apo nëse do të ketë dhunë politike, siç ndodhi më 6 janar të vitit 2021 në ndërtesën e Kongresit.

“Vendet e tjera do të ndjekin me kujdes nëse kanë marrë fund prirjet e 6 janarit apo nëse ende egziston mundësia për trazira civile në Shtetet e Bashkuara”, thotë Michael Kimmage me Universitetin Katolik të Amerikës.

Një numër republikanësh të njohur e kanë denoncuar aktakuzën ndaj zotit Trump si të motivuar politikisht. Mes tyre janë edhe ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis. Ata shihen si konkurrentë të mundshëm përballë zotit Trump për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se kjo është shqetësuese.

“Jam shumë e zhgënjyer që ka udhëheqës republikanë, jo të gjithë, por disa prej tyre, të cilët e kritikojnë aktpadinë që nuk e kanë lexuar, sepse ende nuk është bërë publike”, thotë Cecile Shea me Këshillin e Çikagos për Çështjet Globale.

Në vitin 1974 Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen për të menjanuar ngritjen e padisë ndaj tij lidhur me skandalin Watergate. Zoti Nixon nuk u përball me akuza penale sepse u fal nga Presidenti Gerald Ford.

Një numër vendesh demokratike kanë hetuar, ndjekur penalisht dhe në shumë raste, kanë dënuar dhe burgosur ish-udhëheqës, përfshirë Korenë e Jugut, Italinë dhe Francën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu aktualisht po përballet në gjykatë me akuza për korrupsion.

Ekspertja Cecile Shea i tha Zërit të Amerikës se do të ishte shqetësuese nëse problemet ligjore të zotit Trump marrin përmasa më të mëdha, pasi ai është kthyer pothuajse në një kult për mbështetësit e tij. Ajo vuri në dukje se klima politike në Shtetet e bashkuara është shumë më emocionale dhe e polarizuar krahasur me 50 vjet më parë kur Presidenti Nixon dha dorëheqjen./VOA/

SHKARKO APP