Kim Mehmeti: Shqiptarë që ia shpëlajnë duart e përgjakura, Presidentit serb

Nga Kim Mehmeti – Ndoshta me vonesë, por sot ka personalitete serbe që Presidentit të vet ia shpalosin krimet e luftës, duke publikuar fakte që dëshmojnë se edhe ai i ka organizuar dhe i ka nxitur serbët që t’i marrin armët e të vrasin pjesëtarë të popujve jo serbë.

Shumë personalitete serbe, publikisht e thonë se Presidenti i tyre i sotëm, me asgjë nuk dallon nga shefat e tij të deridjeshëm të dënuar për krime lufte, sepse nuk vret njerëz vetëm ai që e shkrep armën, por edhe ai që i nxit dhe që i mbështet vrasësit.

Personalitete serbe me emër e mbiemër, ia rikujtojnë popullit të vet dhe botës, se Presidenti i tyre i sotëm është ai i dikurshmi që kanosej se për çdo serb të vrarë do vriteshin me qindra myslimanë, ai që betohej se emri i Mlladiqit, i cili u dënua për gjenocidi në Srebrenicë, kurrë nuk do harrohet, ai që me lot në sy e përcolli për në Gjykatën e Hagës shefin e tij, kriminelin e luftës Sheshelin., pra ai që punonte si gazetarë në radion e vendosur te kodrina Pale, nga ku ‘vullnetarët’ serb e bombardonin Sarajevën e dënuar me vdekje.

Po, ka personalitete serbe që e thonë publikisht se Perëndimi ndërton paqe me Presidentin e tyre të sotëm vetëm pse ai është i përdorshëm, vetëm pse kriminelin e djeshëm në të, frika se do përgjigjet për krimet e bëra, e bënë të dëgjueshëm e paqedashës sot si dhe, vetëm pse një i tillë që do ta pajtojë të shkuarën e vet kriminale me të sotmen e tij demokratike, mund të pajtohet edhe me shqiptarët edhe me kroatët, edhe me boshnjakët e jo serb tjerë, ndaj të cilëve dikur e ka nxitur shpërnguljen dhe vrasjen.

Sot nuk mungojnë serbë që publikisht e thonë se Presidenti i tyre i sotëm nuk i hidhërohet Millosheviqit pse ai i nxiti luftërat e përgjakura, me të cilat ua nxiu jetën shumë popujve të këtyre hapësirave, por pse nuk ia doli ta realizojë projektin e Serbisë së Madhe, pa jo serbët në të.

Sot pra nuk mungojnë serbe që e thonë hapur se është mëkat të ndërtosh paqe e demokraci me Presidentin e tyre të sotëm, gjë që e bëjnë edhe disa burrështetas shqiptarë, të cilët arsyetohen se ai është i zgjedhuri i popullit të vet, por pa shpjeguar pse i mbajmë për tradhtarë ‘morinat’ shqiptarë që dikur bashkëpunonin me Millosheviqin, i cili gjithashtu ishte i zgjedhuri dhe më i votuari i popullit serb?!

Nuk janë të rrallë personalitetet serbe, të cilët me vonesë, por sot bëjnë çmos që përpara popullit të vet dhe përpara botës ta shpalosin të shkuarën kriminale të Presidentit to tyre dhe të dëshmojnë se asgjë përpos asaj të kaluare, atë nuk e bënë të përdorshëm për Perëndimin demokratik e paqedashës.

Kuptohet, këtu jemi edhe ne shqiptarët që prej moti e themi se disa burrështetas tanë ‘hajdutokratë’, janë ata që duke bashkëpunuar me Presidentit serb, atij ia shpërlajnë duar e përgjakura nga e shkuara, e vetvetes ia mbulojnë fytyrën e sotme të hajnit e plaçkitësit të popullit..

Po, ka shumë personalitete serbe, që e shpalosin fytyrën e dikurshme kriminale të Presidentit të sotëm të Serbisë, siç jemi edhe ne shqiptarët që themi se një nga arsyet pse kjo pjesë e Ballkanit nuk mund të jetojë në paqe me vetveten e të tjerët është se vendet e këtushme drejtohen sa nga burrështetas që duan ta shpërlajnë të shkuarën e tyre kriminale, po aq edhe nga drejtues që mundohen ta mbulojnë të sotmen e vet të hajdutit, e me të cilët Brukseli e Uashingtoni mundohen ta ndërtojnë të ardhmen tonë të ndritur.

Po pra, ka serbë që i sulmojnë apo i mbrojnë, kriminelët e vet nga e shkuara e përgjakur e këtyre hapësirave, por ajo është punë e tyre dhe ne nuk duhet të merremi me ta, por me të vërtetën, se është një mëkat i sotëm që, për nga përmasat, thuajse ia tejkalon atij që ka të bëjë me të shkuarën kriminale të Presidentit serb.

E ai mëkat është e sotmja e burrështetasve shqiptarë, si për shembull, ajo e Piktorit të Shqipërisë dhe e Presidentit të Kosovës, të cilët, duke e shpallur “vëlla” që do t’i ndihmojë në ndërtimin e të ardhmes së ndritur të shqiptarisë, Presidentit serb ia shpëlanë duart e përgjakura.

Dhe duke u marrë me këtë mëkat, ne duhet të jemi të drejtë e ta pranojmë se nuk është Kryeministri i ri i Kosovës ai që i zgjedh bashkëbiseduesit serb, por atij i bie në hise që në mos më shumë, t’ia thotë botës se jo pse ka të sotmen e hajdutit, por nga mospasja rrugëdalje tjetër, ulet në tavolinë edhe me bashkëpunëtorët e deridjeshëm të Millosheviqit.

SHKARKO APP