Vendimet e mbledhjes në Pogradec, Rama: Qasje e re ndaj territorit, strehimi në qendër të programit
Pas mbledhjes dy ditore me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka punuar intensivisht për të finalizuar disa prej programeve dhe objektivave të saj, duke e lidhur këtë proces edhe me një “reflektim të thelluar” mbi protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë.
Në një lidhje live nga automjeti i tij, teksa largohej nga Pogradeci, Rama tha se Partia Socialiste do të ndjekë një qasje të re në territor, të cilën e përkufizoi si “prani besnike”. Sipas kryeministrit, një tjetër fokus do të jetë forcimi i raportit mes qytetarit dhe shtetit, ndërsa disa programe qeveritare do të hyjnë në vitin e dytë të zbatimit.
Rama bëri të ditur gjithashtu se programi i strehimit do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë, duke e cilësuar atë si një program të ri dhe me peshën më të madhe në fokusin e ekzekutivit. Krahas strehimit, kryeministri përmendi edhe konceptin “Besa”, të cilin tha se tashmë është konsoliduar si pjesë e qasjes së re ndaj raportit shtet-qytetar.
Në deklaratën e tij, Rama foli edhe për platformën “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi të marrin informacion në kohë reale. Ai e lidhi këtë nismë me nevojën që qytetarët të kenë më shumë informacion dhe argumente përballë ndikimit të algoritmeve. Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur në Tiranë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme, ndërsa qeveria po përgatit programet dhe prioritetet për fazën e ardhshme të qeverisjes.
Pjesë nga deklarata
Duke pasur parasysh se tani disponojmë dy baza shumë të rëndësishme, baza teknologjike të marrëdhënies me E-Albania-n dhe Bashkëqeverisjen, të cilave do t’u shtohet edhe Pasqyra Albania, që do të jetë dritarja e vetme unike ku qytetari do të drejtohet për t’u informuar në kohë reale për gjithçka që qeveria e tij, që shteti i tij, në aspektin gjithmonë. Në një moment të dytë, nëse e shohin të arsyeshme dhe kur ta shohin të arsyeshme, edhe komponentët e qeverisjes së gjyqësorit mund t’i bashkëngjiten asaj dritareje. Është një dritare ku secili ka autonominë e vet për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet.
Dhe nuk është thjesht vetëm halli, kërkesa e qytetarit, që do të konceptohet si një letër apo si një pako që çohet me postë, me ID, dhe statusi i të cilës ndiqet në kohë reale. Statusi bart edhe përgjegjësitë e afateve. Dhe ky është synimi i këtij projekti. Jemi përqendruar shumë te shëndetësia, jemi përqendruar shumë te arsimi. Jemi përqendruar te krijimi i një zinxhiri, i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Sot një Shqipëri sociale është jo thjesht e rëndësishme sepse ka qenë gjithmonë, por fillon të bëhet e mundshme më shumë se deri më sot, sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri sociale në gjërat që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve. Sot është më shumë se çfarë ishte në të shkuarën: mbijetesa. Sot është cilësia e jetës.
Kemi folur për çmimet. Natyrisht, kemi një plan për këtë. Jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë eksperiencë, asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, që kjo është e pamundur, por kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë, plan të cilin do ta prezantojmë herët a vonë, në momentin kur të jetë i konsoliduar plotësisht me detaje. Ashtu siç thashë, edhe një sërë komponentësh të tjerë të programit.
Në të gjithë këtë vorbull, këta që do të dalin më të fortë do të jenë qytetarët shqiptarë dhe qeveria e tyre, sepse qeverisja do të përmirësohet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Jo thjesht sepse qeverisja, bazuar edhe në dijen e fituar, edhe në eksperiencën e fituar, edhe në burimet njerëzore në dispozicion, vetvetiu duhet të përmirësohet, sepse, në të kundërt, nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë, por sepse, në këtë rast, ka qenë vërtet një dhuratë ajo që ka ndodhur për të.
Kliko për ta shikuar
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 5031

