Siç ka lajmeruar lideri demokrat Berisha sot në ora 17.00 para kryeministrisë do ketë protestë masive të PD dhe aleatëve opozitarë. Shumica prej protestuesve kanë marrë porosi nga degët e PD dhe nga deputetët e tyre se do jetë protestë-revoltë, e cila pas molotovit do të vazhdojë me ngritjen e çadrave të mëdha para kryeministrisë. Duke qenë mot me shira protestuesit kanë marrë me vete rroba, stola të vegjël për të qëndruar në shesh në çadrat e tyre.
Nga Kukësi janë nisur dy çadra të mëdha, po kështu dhe nga Shkodra, Laçi dhe Fieri.
Mësohet se protesta nuk do të mbyllet sonte, por do të rrijnë ditë-natë para kryeministrisë deri në krijimin e një Qeverie Tranzitore për zgjedhje të reja parlamentare.
Nga ana e saj policia e shtetit, ndonëse nuk e thotë zyrtarisht, ka dyfishuar për sonte numrin e policisë si dhe ka në gatishmeri gaz të cilësisë së parë.
Kreu i opozitës, Sali Berisha iu bëri thirrje edhe forcave të rendit që të qëndrojnë në anën e ligjit dhe të qytetarëve, duke i ftuar të mos shërbejnë si mburojë politike për qeverinë. Ai deklaroi se opozita synon të “hedhë në Lanë qeverinë e krimit”, përmes asaj që e quajti një kryengritje paqësore qytetare.
