Premtimi pas tragjedisë bëhet realitet, Rama: 20 shkolla janë tashmë me kamera inteligjente
Kryeministri Edi Rama informon se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të projektit që synon forcimin e sigurisë në institucionet arsimore. Përmes një video mesazhi në Facebook, Rama kujtoi tragjedinë e rëndë që tronditi opinionin publik shqiptar dhe tha se pikërisht pas asaj ngjarjeje kishte marrë zotimin për ta çuar teknologjinë e sigurisë në shkolla në një nivel të ri.
Sipas kryeministrit, kamerat e reja janë vendosur në të njëjtat pika ku ndodheshin sistemet e mëparshme të monitorimit, por kanë kapacitete të avancuara për të identifikuar dhe sinjalizuar në kohë reale situata të caktuara. “Ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin, por edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë, 20 shkollat e para përbëjnë vetëm fazën e parë të projektit, duke paralajmëruar shtrirjen e teknologjisë në shkolla të tjera. “Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, deklaroi kryeministri.
Postimi i plotë
Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla. Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet.
Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë por natyrisht edhe të vetë prindërve.
Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë.
Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka.
KOHA JONË SONDAZH

