Meta në zonat e thella malore të Tropojës, përuron rrugën e re Lekbibaj-Curraj i Epërm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës në Tropojë ishte i pranishëm në përurimin e rrugës së re që lidh Lekbibaj me Curraj i Epërm.
Presidenti Meta uroi banorët e zonës dhe vlerësoi investimin e bërë me kontributet e vetë banorëve si një mbështetje për një nga fshatrat më të bukur të Alpeve Shqiptare, që ka pasuri të rralla natyrore dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit malor e të sporteve të ndryshme si ecja sportive, alpinizmi, sidomos për brezin e ri.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës ishte i pranishëm edhe në meshën e së dielës, e cila u mbajt në Kishën katolike të fshatit “Curraj i Epërm”, duke u takuar e përshëndetur me banorët e shumtë të zonës, me të cilët ndoqi edhe një koncert artistik.
Në fjalën e tij Presidenti Meta, u shpreh: “Ndihem shumë i lumtur të jem këtu në Curraj të Epërm, në Nikaj- Mërtur, në Tropojën epike.
Jetojmë në kohë të vështira, kur globalizimi, komercializimi po godasin disa vlera të rëndësishme të familjes, të atdheut, të kombit dhe ne si një vend i vogël jemi të rrezikuar në rast se nuk i kushtojmë rëndësi të madhe këtyre vlerave. Kjo vepër është rikthimi i të gjithëve ju me shumë dashuri e krenari në vendin tuaj e të parëve tuaj. Është një mesazh i fortë atdhedashurie, por njëkohësisht edhe rimëkëmbjeje.”
Duke falënderuar edhe kryetarin e Bashkisë Tropojë, Besnik Dushaj për punën, angazhimin si edhe frymën e bashkëpunimit me institucionet, Ipeshkvin Simon Kulli për meshën dhe mesazhet pozitive, dhe të gjithë kontribuuesit dhe dhuruesit e tjerë brenda e jashtë vendit për rrugën e përuruar, Presidenti i Republikës vuri në dukje se: “kjo vepër e jashtëzakonshme është një investim tepër bujar, patriotik e njerëzor i vetë banorëve të kësaj zone, duke u dhënë një mësim përfaqësuesve të institucioneve, që shteti duhet të bëjë më shumë.”
Duke përmendur edhe rëndësinë e turizmit Presidenti Meta vlerësoi dhe u shprehu mirënjohjen turistëve, sidomos të rinjve, të cilët me mesazhin e tyre të fortë në media, kanë theksuar se Shqipëria është një vend me një bukuri të rrallë natyrore, e pacenuar dhe e padëmtuar, ku ia vlen të vish për turizëm malor, për ngjitje dhe alpinizëm, për “turizmin e aventurës”, duke promovuar sidomos ardhjen në Curraj të Epërm.
“Do të bashkëpunoj shumë më ngushtë edhe me kryetarin e Bashkisë, me administratorin, me deputetin, e me të gjithë ju, në mënyrë që t’i zgjidhim hap pas hapi të gjitha problemet që ka kjo zonë, që kjo rrugë të jetë e standardeve të duhura dhe njëkohësisht të zgjidhim problemet e telefonisë e të komunikimit, të energjisë e shumë çështje të tjera, të cilat do të bëjnë të mundur që sikurse u hap kjo rrugë, të hapen edhe këto shtëpi e të mirëmbahen. Që këtu të kemi më shumë bujtina e më tepër turizëm, të ardhura, e më shumë fëmijë. Kjo është shumë e rëndësishme!”
“Një gjë mund ta them me bindje se nuk ka vend më të bukur se sa Shqipëria. Bjeshkët e Nëmura dhe Currajt e Epërm do t’i kishte zili çdo vend i zhvilluar në botë. Ne i kemi e duhet t‘i ruajmë si sytë e ballit!
Të ruhet ky peizazh, këto tipare karakteristike të kësaj zone! Të ruajmë traditat! Të ruajmë këngën dhe vallen tropojane!” – ishin mesazhet e Kreut të Shtetit, i cili premtoi se do të rikthehej me shumë kënaqësi për vizita të tjera në të ardhmen në këto zona.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?