Sherri mes biznesmenëve për pronon në bregdet, Rama: Zonën do ta shpronësojmë, kthim në ullishte publike

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinajt, duke e cilësuar ngjarjen si një konflikt banal dhe brutal. Në reagimin e tij, Rama theksoi se pas analizimit të situatës dhe hartës pronësore të zonës ku ndodhi konflikti, është arritur në përfundimin se duhet t’i jepet fund një historie të tillë, ndërsa paralajmëroi masa dhe një mesazh të qartë për të gjithë ata që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike.

Sipas kryeministrit, çdo individ i përfshirë në sektorin e turizmit duhet të kuptojë përgjegjësinë që mbart dhe të sillet si “ambasador i turizmit shqiptar”. Ai nënvizoi se sjelljet që dëmtojnë imazhin e vendit bien ndesh me misionin kombëtar për zhvillimin e Shqipërisë turistike.

”Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”, u shpreh Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai shtoi se transformimi i Shqipërisë në një destinacion turistik nuk lidhet vetëm me investimet dhe ndryshimin fizik të territorit, por kërkon edhe përgjegjshmëri në sjellje nga të gjithë aktorët e sektorit, nga investitorët deri te punonjësit e shërbimit. ”Banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar”, deklaroi kryeministri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fjala e plotë nga Rama

Kryeministri Edi Rama: Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se duhet jo vetëm t’i japim fund asaj historie, po duhet edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike.

Ata duhet të kuptojnë që nuk mund ta cënojnë me qasjet dhe me sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet, në radhë të parë nga investitorët tek kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar edhe me njëri-tjetrin.

Lëre pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë. Prandaj banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me harbuzllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike apo me akte arrogance ose me zhurma shurdhuese mbi komunitetin, duhet të bëhen shembull, shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike.

Ne kemi vendosur ta shpronësojmë, ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë. Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri.

Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes e turizmit të eksperiencës. Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj, duke pështirosur tërë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë në një territor paqeje, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?