“Acar” nga Thomas Bernhard, më 21 dhjetor në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit
Një shfaqje e mrekullueshme dhe e vlerësuar me çmimin më të rëndësishëm teatror austriak, Nestroy, vjen më 21 dhjetor në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit.
Romani “Acar”, e para vepër e autorit të mirënjohur austriak Thomas Bernhard, i dramatizuar nga Uwe Mattheiß, në regjinë e Sabine Mitterecker. Historia e një miqësie mes një djali të ri në fillim të karrierës së tij si mjek dhe një piktori në ditët e fundit të jetës së tij.
Në rolin solo të praktikantit të mjekësisë i cili vëzhgon dhe raporton për jetën e izoluar të piktorit të sëmurë Shtrauh, vjen në skenën tonë aktori Andreas Patton, mes të tjerash pjesëtar i trupës së Volkstheater Wien (Teatrit Popullor të Vjenës).
Shfaqja do të interpretohet në gjermanisht dhe do të shoqërohet me titra në shqip në përkthimin e Lindita Komanit. Para shfaqjes do të shpërndahet edhe një tekst përmbledhës për pjesën, për një orientim e ndjekje sa më të mirë të shfaqjes.
Sabine dhe Uwe, bashkëshortë përveçse bashkëpunëtorë në veprimtarinë e tyre në fushën e artit dhe aktivizmit shoqëror, janë ndër kontribuesit më të përkushtuar nga jashtë Shqipërisë në të mirë të çështjes së Teatrit Kombëtar. Më 24 korrik ata u organizuan me shpejtësi dhe mundësuan dërgimin e një letre publike në adresë të politikanëve e qeverisë austriake e krejt Europës për të bërë thirrje për vëmendje e ndihmë për artistët e qytetarët shqiptarë që gjendeshin të rrethuar në Teatrin Kombëtar, letër e cila u nënshkrua edhe nga nobelistja e letërsisë Elfriede Jelinek.
Ata kanë bindur aktorin Patton dhe ekipin e produksionit që të marrin pjesë në mënyrë vullnetare në këtë shfaqje solidariteti që sjell frymën më të mirë të kulturës austriake në Tiranë.
Të gjithë kanë të njëjtin mesazh për të ndarë: Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë duhet të qëndrojë.