Berisha kujton 2 Korrikun e vitit 1990: Kryengritja që plagosi për vdekje diktaturën komuniste
Sali Berisha ka kujtuar 2 korrikun e vitit 1990, ku mijëra të rinj, punëtorë, intelektualë dhe të persekutuar u ngritën kundër diktaturës komuniste, duke hyrë në ambasadat e huaja në Tiranë, mes tyre edhe në ambasadën Gjermane. Sipas Berishës, ky akt përfaqësoi “shembjen e Murit të Berlinit në Tiranë” dhe shënoi fillimin e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai vlerësoi guximin e pjesëmarrësve në këto ngjarje, duke theksuar se kryengritja paqësore goditi rëndë regjimin dhe i tregoi botës se sistemi komunist në Shqipëri kishte hyrë në agoninë e tij. ”Mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të veçantë për martirin e kësaj kryengritjeje, të riun 15-vjeçar Artim Basha, që ra për të mbetur i pavdekshëm në altarin e lirisë së shqiptarëve”,-shkruan Berisha.
Postimi i plotë
36-vjetori i kryengritjes së 2 korrikut 1990.
Të dashur miq, në historinë e qëndresës së shqiptarëve kundër diktaturës staliniste më jetëgjatë në Europë dhe lirisë së tyre, 2 korriku 1990 do të mbetet një nga ditët më të shënuara.
Me datën 2 Korrik të vitit 1990, mijëra të rinj, punëtorë por edhe intelektualë e të persekutuar të Tiranës u ngritën kundër diktaturës komuniste dhe me një guxim epik shembën në Tiranë Murin e Berlinit, hynë në oborrin e ambasadës gjermane dhe ambasadave të tjera. Me aktin e tyre të guximit të jashtëzakonshëm ata shembën në Tiranë Murin e Berlinit dhe plagosën për vdekje diktaturën e fundit staliniste në Europë.
Por, mjerisht, qytetarët e Tiranës dhe inteligjenca e saj ato ditë u gjetën në bisht të kohës. Ata nuk guxuan të mbështesin kryengritjen e guximtarëve të kombit, nuk mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës për të përmbysur, si në vendet e tjera ish-komuniste, diktaturën hoxhiste në Shqipëri. Por, pavarësisht nga kjo, Kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990 goditi rëndë dhe bëri të pashpresë diktaturën komuniste në Tiranë.
Ajo, me jehonën e saj të jashtëzakonshme, i dëshmoi botës se Shqipëria socialiste nuk ishte dhe nuk do të mbetej shkëmb graniti i socializmit në Europë, apo Kuba e Adriatikut dhe se diktatura në këtë vend kishte hyrë në agoninë e saj.
Ndaj dhe sot ju ftoj të përulemi me mirënjohje të thellë dhe nderim të madh para të gjithë atyre djemve dhe vajzave të pamposhtur e guximtarë që përmbysën më 2 korrik të vitit 1990 Murin e Berlinit në segmentin më të lartë, më të trashë, më të zi të tij në Tiranë.
Mirënjohja jonë këtë ditë shkon edhe për ambasadorin e RFGJ, Werner Daum, Ambasadorin e Lirisë, që hapi dyert e ambasadës së vendit të tij për mijëra e mijëra shqiptarë, por dhe kolegët e tij për mbështetjen e tyre të fuqishme për kryengritësit e 2 korrikut dhe popullin e shtypur shqiptar.
Mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të veçantë për martirin e kësaj kryengritjeje, të riun 15-vjeçar Artim Basha, që ra për të mbetur i pavdekshëm në altarin e lirisë së shqiptarëve.
KOHA JONË SONDAZH

