
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), duke e akuzuar se po përdoret nga qeveria për të ndëshkuar mediat dhe për të kufizuar lirinë e shprehjes. Gjatë një mbledhjeje me krerët e degëve të Partisë Demokratike, Berisha tha se gjobitja e studiove televizive për deklaratat e bëra nga të ftuarit në emisionet e debatit përbën një ndërhyrje të papranueshme në lirinë e medias. Ai akuzoi kryeministrin Rama se po e përdor si një instrument presioni ndaj mediave dhe gazetarëve.
”Dy ditët e fundit, regjimi ka marrë karakter talebanesk. Në studiot televizive dënohen mediat, dënohen mediat për mendimin e lirë që shpreh i ftuari para drejtuesit, moderatorit të debatit. Pra, narkodiktatori koncepton moderatorët e debateve si policët e moralit, njëlloj si talebanët e Afganistanit apo fanatikët e Ajatullahve.
Vendosin gjoba. E ashtuquajtura AMA, do hyjë në histori si institucioni më i turpshëm, të cilës Edi Rama i jep funksionet e xhandarit të mendimit dhe të fjalës së lirë, përdoret për të gjobitur studiot televizive, në rast se shkon aty dhe thua asgjë më shumë as më pak, se Edi Rama është më mirë të ikësh sesa të zvarritesh e të dalësh i zvarritur nga zyra.
Këto janë përpëlitje të një narkodiktature dhe të një narkodiktatori, të cilat, masa që asnjë tjetër si ai përveç talebanëve që janë të njohur për ministrinë e virtytit e të moralit e të tjera e të tjera nuk i ka adaptuar. Tani protestues paqësorë, krejtësisht paqësorë në bulevard, i merrnin zvarrë dhe u prisnin fletën e gjobës duke shkelmuar njëherazi Kushtetutën e vendit”,-tha Berisha.
