Debati për Zvërnecin, Rama për France 24: Disa faktorë të jashtëm nuk e duan këtë zhvillim
Kryeministri Edi Rama thotë se protestat kundër investimit prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec po ndikohen edhe nga aktorë të jashtëm. Në një intervistë për televizionin francez ”France 24”, kreu i qeverisë tha se pas kundërshtimeve ndaj projektit fshihen interesa që nuk e shohin me sy të mirë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Rama përmendi Iranin, por edhe konkurrentë rajonalë, duke sugjeruar se ekzistojnë përpjekje për të penguar realizimin e investimit. Sipas tij, projekti përfaqëson një mundësi të rëndësishme për turizmin dhe ekonominë shqiptare, ndërsa debatet që e shoqërojnë nuk lidhen vetëm me shqetësimet lokale.
”Pikërisht kjo po ndodh. Ka shumë ndërhyrje, qoftë nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike prej tre vitesh, qoftë nga konkurrentë në rajon që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri. Ka edhe shqetësimet e një pjese të popullsisë që dëshiron gjëra të tjera. Por ne jemi zgjedhur për të bërë atë që kemi premtuar dhe mes premtimeve është edhe ky projekt”, tha Rama. Kryeministri vuri në dukje se protestat po zhvillohen në Tiranë, ndërsa sipas tij në Vlorë, ku projekti pritet të ndërtohet, qytetarët e mbështesin.
“Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku projekti duhet të realizohet, njerëzit e duan projektin”, deklaroi Rama. Edhe një ditë më parë, gjatë një interviste për Financial Times, Rama tha se është i bindur se planet për zhvillimin e bregdetit do të ecin përpara pavarësisht protestave.
KOHA JONË SONDAZH

