DW: I vetëm në garë, Berisha konfirmohet në krye të PD
Me 37 mijë e 341 vota, pa asnjë rival në garë, Sali Berisha është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike.
Ndonëse procesi zgjedhor është shoqëruar me kontestime, për shkak të mungesës së një gare, pas konfirmimit të rezultatit, Sali Berisha e cilësoi si “votimin më të jashtëzakonshëm”. Sipas të dhënave të bëra me dije nga Selia Blu, nga 39 441 votues gjithsej, 38 mijë e 902 vota rezultuan të vlefshme. 1055 anëtarë votuan kundër Berishës dhe 506 abstenuan.
“Ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore”, deklaroi Berisha, teksa në selinë blu “shpërthyen” fishekzjarrët.
Zgjedhjet në Partinë Demokratike “jo aq demokratike”
Në një fletë votimi ku kishte vetëm një pyetje “votëbesimi për kryetarin e PDSH, Sali Berisha dhe alternativat “pro”, “kundër” abstentim”, demokratët u drejtuan në 87 qendrat e votimit në 77 degët e partisë që në orën 08:00 të mëngjesit deri në orën 19:00 të shtunën (23 maj 2026). Procesi i votimit ishte i qetë, por u shoqërua me debate për shkak të paqartësisë me numrin e anëtarësisë. Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë selia blu, specifikisht nga drejtuesja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), deputetja Albana Vokshi, numri i anëtarëve që u thirrën për të votuar është 51 737.
Megjithatë, ish-deputeti Ervin Salianji, një ndër zërat më kritikë nga radhët e demokratëve, i cili u skualifikua nga gara pasi u përjashtua edhe nga partia, flet për manipulim të shifrave.
Për DW, ai tha se “Shifrat reale tregojnë diçka krejt tjetër nga propaganda zyrtare. Ka një braktisje masive të këtij procesi nga demokratët. Në shumë degë pjesëmarrja ka qenë minimale dhe kjo tregon qartë zhgënjimin e madh të anëtarësisë. Ne e kemi monitoruar procesin dhe siç ua thashë më pak se 5000 anëtarë kanë marrë pjesë, nesër do shpërndaj për mediat dhe link-e të monitorimit me kamera për të parë secili numrin real në disa qendra votimi dhe manipulimin që është bërë me pjesëmarrjen. Dua t’iu vë në dijeni që numri i anëtarëve u publikua pas nisjes së “procesit”, u deklaruan 51.000 ndërkohë që Partia Demokratike me lista ka pasur më shumë se 120.000 anëtarë! Përpjekja për të manipuluar perceptimin publik me shifra të fryra nuk e fsheh dot realitetin politik që po përjeton sot Partia Demokratike”.
Megjithatë, akuzat për një proces jo demokratik nisën që në krye të herës me përjashtimin e kandidatëve, duke i hapur rrugën Sali Berishës të garojë i vetëm.
Nga gara u përjashtuan Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela.
Sali Berisha ka dominuar historinë politike të Partisë Demokratike. Ai u zgjodh për herë të parë në krye të Partisë Demokratike në vitin 1991 dhe sot vijon ende të drejtojë partinë më të madhe opozitare në vend, me 2 shkëputje; në 1992 kur u zgjodh president i vendit dhe në 2013 pas humbjes së zgjedhjeve.
Salianji: Nuk e njohim Berishën si kryetar legjitim
Ervin Salianji ka qenë shumë kritik me lidershipin e Sali Berishës. Për rrjedhojë, për DW, ai thotë se nuk do e njohë Berishën si një kryetar legjitim dhe se do të vijojë aksionin e tij.
“Kur mungon gara, mungon edhe legjitimiteti moral por në këtë rast dhe ai ligjor. Demokratët nuk kanë nevojë për votime formale pa alternativë, por për një opozitë të hapur, moderne dhe fituese. Ajo që ndodhi sot nuk i bashkon demokratët, përkundrazi i largon ata edhe më shumë nga politika dhe nga besimi tek opozita.
Unë nuk kam hyrë në këtë betejë për interesa personale apo poste. Kam hyrë sepse besoj se Shqipëria ka nevojë për opozitë reale dhe për rikthimin e standardeve demokratike. Aksioni im politik do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri, në krah të demokratëve dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe jo riciklim të së shkuarës. Do të vazhdoj lëvizjen dhe takimet me qytetarët duke nisur nga kjo javë në Tiranë. Ne nuk njohim një farsë që organizohet nga Berisha. Ai fliste si komisioner, si numërues, si gjykatës, si zotëruesi i të vërtetës absolute…praktikisht si pronar. Nuk do ta pranojmë dhe nuk e njohim legjitim Sali Berishën, çdo ditë e qëndrimit të tij në zyrë i shërben zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës”, tha Salianji për DW.
Salianji thekson më tej, se “me Berishën PD nuk vjen kurrë në pushtet”. Ish-deputeti shprehet skeptik me opozitën e Berishës si alternativë, madje e barasvlerëson atë me kryeministrin Edi Rama.
“Shqiptarët sot kërkojnë alternativë, jo përsëritje të krizës së vjetër politike e as riciklim apo ripaketim të Berishës si i riu i paprovuar që do sjellë shpresë. Opozita bëhet më e fortë kur hapet ndaj shoqërisë, kur pranon garën, meritokracinë dhe mendimin ndryshe. Pa këto elementë nuk mund të ketë besim qytetar dhe as alternativë fituese përballë qeverisë.
Për fat të keq, ajo që ndodhi në këtë proces nuk jep sinjal force, por sinjal mbylljeje dhe frike nga gara. Shqipëria ka nevojë për opozitë që frymëzon shumicën e qytetarëve dhe jo për procese që ngjajnë me emërime formale. Sali Berisha i sjell opozitës dhe gjithë shoqërisë pesimizëm, ai dhe vetë nuk ka asnjë narrativë se pse kërkon të vijë në pushtet, as arsye publike përveç dëshirës personale. Berisha është po aq i konsumuar sa Rama, ka akuza si Rama, ka marrëdhënie jo të mira me faktorin ndërkombëtar dhe është humbës kronik prej vitit 2013 kur ishte në qeverisje. E reja e vetme është që tani maskat e “demokracisë” ranë dhe ai është ekspozuar si minues i demokracisë”, përfundoi ish-deputeti.
“Duhet ligj i ri për të ndryshuar modelin e partive-lider”
Për Prof. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, rezultati i zgjedhjeve në Partinë Demokratike nuk ndikon në situatën brenda partisë dhe as në zhvillimet politike në vend.
“Rikonfirmimi forcon kontrollin personal të Berishës në listat e kandidatëve më 2027-n dhe 2029, por në thelb, nuk i jep kredite politike dhe as nuk ofron mbështetës të rinj, të cilët janë jetikë për PD nëse ajo synon realisht rotacionin politik”, deklaroi për DW, prof. Krasniqi.
Duke e konsideruar zgjedhjet me një formalitet procedural, Krasniqi është i mendimit se vendi ka nevojë për një ligj bashkëkohor që t’i jepet fund modelit të “partive- lider”, referuar këtu jo vetëm PD, por edhe PS, si partitë më të mëdha në vend.
“Ajo që ka rëndësi dhe vlerë në këtë rast nuk janë praktikat formale që partitë aplikojnë, përfshirë dy partitë e mëdha, por e para, përpjekja e tyre për ta paraqitur këtë si normalitet e standard, dhe e dyta, mungesa e një legjislacionin bashkëkohor që rregullon aktivitetin e partive politike. Modeli i partive lider pa anëtarësi të verifikueshme, pa struktura legjitime, pa demokraci të brendshme, pa transparencë dhe llogaridhënie, si dhe pa një sistem karriere të bazuar te meritat, idetë, konkurrenca dhe reformimi i vazhdueshëm mbetet një prej trashëgimive negative të kulturës komuniste në Shqipëri, si dhe një nga defektet kryesore të tranzicionit. Shqipëria po tenton hyrjen në BE dhe duhet të ndjek standardet e EPP/PES, ku votohet, ku ka standarde demokratike, ka konkurrencë, ka rotacione politike dhe ka “politikë” në koncept e përmbajtje, tregues që nuk gjenden në spektrin politik shqiptar. Një ligj i ri integral i partive politike, aktivitetit, legjitimitetit, funksionimit dhe financimit të tyre dhe më pas një reformë zgjedhore reale do të ishin zgjidhje për daljen nga status-quoja aktuale e partive fiktive, mungesës së politikës dhe përfaqësimit jocilësor në parlament dhe në institucionet vendimmarrëse”, përfundoi Krasniqi./DW/
KOHA JONË SONDAZH

