Dy kroçera mbërrijnë në Durrës, Rama poston fotot: Rritje e interesit për Shqipërinë në turizmin mesdhetar
Porti i Durrësit është kthyer në ndalesën e kroçerave me turistë të huaj, të cilët zgjedhin të vizitojnë qytetin bregdetar, por jo vetëm. Rreth 150 turistë të huaj mbërritën sot me kroçierat “Monet” dhe “La Belle de l’Adriatique”, që prej disa vitesh janë bërë pjesë e guidave turistike detare drejt qytetit bregdetar.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga mbërritja e turistëve të huaj në portin e Durrësit, që sipas tij, është kthyer në portë të rëndësishme hyrëse për turistët ndërkombëtarë. ”Kjo konfirmon edhe një herë rritjen e interesit për Shqipërinë në hartën e turizmit mesdhetar dhe rolin e Durrësit si një portë të rëndësishme hyrëse për turistët ndërkombëtarë”, u shpreh Rama.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, turistët do të kenë mundësi të vizitojnë disa nga atraksionet historike dhe arkeologjike më të rëndësishme të vendit, përfshirë qytetin antik të Durrësit, Kalanë e Krujës dhe qendrën muzeale të Beratit, të mbrojtura nga UNESCO. Lëvizjet e tilla janë tregues i interesit në rritje të linjave turistike për Shqipërinë si destinacion mesdhetar, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në vend.
KOHA JONË SONDAZH

