Falsifikuan vendimin e Gjykatës, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq avokaten dhe përkthyesen
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka dërguar për gjykim një avokate dhe një përkthyese, të akuzuara për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas hetimeve të procedimit penal, rezulton se më 29 maj 2025, në Zyrën e Gjendjes Civile të Bashkisë Fier është paraqitur, përmes shërbimit postar, një vendim gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 12.02.2025, me kërkues shtetasin F.H., me objekt njohjen dhe dhënien e fuqi ligjore në Republikën e Shqipërisë të një vendimi të një gjykate në Greqi.
Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se ky dokument është i falsifikuar.
Prokuroria bën me dije se pas administrimit të provave rezulton se dokumentet janë dërguar nga shtetaset A.K. dhe A.M., të cilat janë paraqitur disa herë në Zyrën e Gjendjes Civile për t’u interesuar mbi regjistrimin e tyre, ndërsa A.M. ka tentuar të ndikojë në procedurën e regjistrimit në cilësinë e njohëse së ligjit.
Sipas njoftimit të prokurorisë, e pandehura A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., ka falsifikuar dhe përdorur të dy vendimet, si atë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ashtu edhe të gjykatës greke, në mënyrë që të realizohej shkurorëzimi i shtetasit F.H., nëpërmjet një vendimi të falsifikuar të një gjykate të huaj, duke sajuar edhe njohjen e atij vendimi në gjykatën shqiptare, me anë të vendimit të falsifikuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në mënyrë që më pas të lidhte martesën ligjore me shtetasin F.H
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar për të garantuar veprimtarinë e rregullt të organeve të administratës publike, si dhe të personave privatë në lidhje me hartimin, administrimin dhe lëshimin e dokumenteve, ku përfshihen si aktet zyrtare ashtu edhe ato private.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

