Kodi i Procedurës Penale, Rama: Çdokush që thirret si person në dijeni, ka të drejtën e avokatit! Deklarimet nën torturë, të pavlefshme
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditura disa nga ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat për të forcojnë të drejtat e të pandehurve dhe rolin e avokatit gjatë hetimit. Rama tha se avokati do të ketë mundësi të kryejë verifikime, të sigurojë dokumente dhe të angazhojë ekspertë në funksion të mbrojtjes.
“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të kryejë hetimet e veta, të marrë dokumente, të kryejë verifikime dhe të angazhojë ekspertë”, deklaroi ai. Një tjetër ndryshim lidhet me aksesin në provat e dosjes. Sipas Ramës, personi nën hetim do të ketë të drejtë të aksesojë provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjykatë. Ndërkohë, prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që mund të jenë në favor të të pandehurit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu të drejtën për avokat edhe për personat e thirrur si persona në dijeni. “Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat e garanci”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë, ndërsa deklarimet e marra përmes torturës apo trajtimeve çnjerëzore do të konsiderohen të papërdorshme. “Për herë të parë, shprehet në letër se deklarimet e marra nën torturë apo nën trajtim çnjerëzor, janë të papërdorshme”, u shpreh Rama.

