“‘Liria ka emër’, shqiptarët në Shkup protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Shkupi pritet të vishet sot kuqezi, ndërsa mijëra qytetarë do të mblidhen në një protestë madhështore në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Tubimi, me moton “Liria ka emër”, organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe do të nisë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit maqedonas.
Protesta pritet të mbledhë pjesëmarrës nga Shkupi dhe trevat përreth, si dhe përfaqësues politikë nga mbarë rajoni. Organizatorët kanë bërë thirrje për një manifestim paqësor dhe dinjitoz, në mbrojtje të figurës së UÇK-së dhe të drejtës historike të luftës çlirimtare.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit, duke e cilësuar si një akt ndërgjegjeje kombëtare dhe kërkesë për drejtësi. Ai ka theksuar se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë të motivuara politikisht dhe “të ndërtuara mbi narrativa të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”.
Mbështetje për protestën ka dhënë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se pas tubimeve në Prishtinë dhe Tiranë, edhe Shkupi po i bashkohet thirrjes mbarëkombëtare për drejtësi. Ai ka kërkuar ruajtjen e unitetit dhe vlerave kombëtare në këtë moment të ndjeshëm.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar ish-luftëtarët të shmangin pjesëmarrjen direkte në protestë për shkak të rrezikut të ndalimit nga autoritetet maqedonase, duke pretenduar se lista të Europolit të përcjella nga Serbia mund të përdoren për arrestime.
KOHA JONË SONDAZH

