
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në takimin ministror të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, ku theksoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe integrimi në Bashkimin Evropian duhet të ecin paralelisht. Në fjalën e tij, Hoxha u ndal te ndryshimet në situatën e sigurisë dhe atë gjeopolitike në Evropë, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal është sot më i nevojshëm se kurrë.
“Rajoni ynë nuk mund të bëhet plotësisht evropian nëse mbetemi të distancuar nga njëri-tjetri, dhe Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar dhe e fortë për sa kohë rajoni ynë mbetet jashtë saj. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah. Kur heqim barrierat tregtare, ndërlidhim sistemet tona energjetike dhe korridoret e transportit, njohim kualifikimet profesionale, forcojmë ndërlidhjen digjitale dhe bashkëpunojmë më ngushtë për sigurinë, nuk po ndërtojmë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Po përgatisim rajonin tonë të funksionojë si pjesë e tij”, deklaroi Hoxha.
Ministri tha se heqja e barrierave tregtare, lidhja e sistemeve energjetike, njohja e kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë nuk janë alternativa ndaj integrimit evropian, por hapa për ta përgatitur rajonin të funksionojë si pjesë e BE-së. ”Shoqëri më të afërta krijojnë më shumë besim. Më shumë besim forcon sigurinë. Dhe lidhjet më të forta mes njerëzve e shndërrojnë afërsinë në partneritet. Në fund të fundit, një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Europë më e fortë. Kjo është Europa që na duhet: më e ndërlidhur, më e sigurt, më e qëndrueshme dhe në fund, e bashkuar në tërësinë e saj”.
