Ministria e Jashtme: Dënojmë aktet e vandalizmit te selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon aktet e vandalizmit të ushtruara mbrëmjen e djeshme te selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, përfshirë heqjen e flamurit të Selisë së Shenjtë.
“Respektimi i paprekshmërisë dhe dinjitetit të përfaqësive diplomatike është një detyrim themelor, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare.
E drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë çdo formë dhune apo vandalizmi. Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit.
Ministria vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe së bashku me institucionet e përfshira, do të garantojë sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

