PS e akuzon si nxitës të dhunës, Berisha: Nuk e morëm vesh kush është armiku i jashtëm
Sali Berisha, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Socialiste se demokratët qëndrojnë pas akteve të dhunës gjatë protestave studentore. Në një konferencë për shtyp në selinë blu, Berisha i cilësoi akuzat si “bajate”, duke deklaruar se opozita do të vijojë të mbështesë protestën.
Berisha kundërshtoi pretendimet se pas situatës qëndrojnë forca të brendshme dhe të jashtme që synojnë të pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Partia Demokratike deklaron se mbështet me të gjithë potencialin e saj këtë protestë dhe do ta mbështesë deri në fund”, u shpreh Berisha.
Duke iu referuar deklaratave të Ramës për përfshirjen e një armiku të brendshëm dhe të jashtëm, kreu i PD-së ironizoi mungesën e qartësisë, sipas tij, mbi identitetin e këtyre forcave.
“Akuzat bajate të Edi Ramës janë turpi dhe faqja e tij e zezë, sipas të cilit kjo protestë është rezultat i armikut të brendshëm, që është opozita, dhe armikut të jashtëm”, deklaroi Berisha.
Ai vijoi ironinë duke përmendur disa shtete, pa pretenduar se kishte informacion për një të dyshuar konkret.
“Kësaj here nuk e morëm vesh, nuk e kemi idenë nëse është Greqia, Irani, Serbia apo dikush tjetër, por flasim për një armik të jashtëm në bashkërendim me opozitën”, tha kreu i demokratëve.
Berisha ritheksoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në mbështetje të protestës, ndërsa përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
“Opozita do të qëndrojë me të gjitha fuqitë e saj në mbështetje të kësaj proteste. Jep dorëheqjen, largohu menjëherë!”, përfundoi Berisha.
A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?
Results
Vota totale: 9937

