Rama: Kontrolli i celularëve vetëm me autorizim gjykate, marrjet në pyetje do të regjistrohen
Ndryshime të reja në Kodin e Procedurës Penale synojnë të vendosin kufizime mbi mënyrën sesi autoritetet aksesojnë të dhënat gjatë hetimeve. Sipas kryeministrit Edi Rama, sekuestrimi i një telefoni apo pajisjeje elektronike nuk do të nënkuptojë më akses të pakufizuar në përmbajtjen e saj. Duke prezantuar ndryshimet e propozuara, Rama tha se për hapjen dhe kontrollin e të dhënave do të kërkohet autorizim gjyqësor.
”Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ta hapur duhet vendim i gjykatës”. Sipas tij, për rastet e urgjencës të përcaktuara nga ligji do të ketë një procedurë të veçantë, ndërsa ndërhyrja do të vlerësohet nga gjykata. Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me marrjen në pyetje dhe dokumentimin e veprimeve hetimore. Rama bëri të ditur se marrja në pyetje dhe veprimet kryesore të hetimit do të regjistrohen me zë dhe figurë. ”Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar’‘. Ndryshimet synojnë gjithashtu të përjashtojnë deklarimet e marra përmes presionit apo dhunës.
”Shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlejnë”. Në fokus është edhe mënyra se si do të trajtohen të dhënat që mblidhen gjatë hetimeve. Materialet që nuk kanë lidhje me veprën penale që po hetohet parashikohet të mos ruhen. ”Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet”. Të njëjtin parim, sipas kryeministrit, duhet ta ndjekin edhe përgjimet, duke kufizuar përdorimin e tyre vetëm te informacionet që lidhen me objektin e hetimit. ”E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet”. Rama e lidhi këtë paketë ndryshimesh me nevojën për të forcuar mbrojtjen e privatësisë në kushtet e përdorimit gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
”Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale, nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”. Ndryshimet e propozuara synojnë kështu të përcaktojnë kufij më të qartë mes nevojave të hetimit penal dhe mbrojtjes së të dhënave personale, duke i dhënë gjykatës një rol në autorizimin dhe kontrollin e aksesit në informacionet private.

