Rama në Cërrik: Ferma eksperimentale ”Mihal Shahini” si model i ri i arsimit profesional dhe bujqësisë moderne të qëndrueshme

Në Shkolla Profesionale Mihal Shahini u prezantua një fermë eksperimentale moderne, e konceptuar si qendër praktike për arsimin profesional dhe zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme përmes teknologjive të reja.

Projekti i mbështetur nga MASHAV dhe partnerë ndërkombëtarë, synon të lidhë drejtpërdrejt edukimin me praktikën bujqësore, duke u ofruar nxënësve dhe fermerëve mundësi trajnimi në sera inteligjente, sisteme të automatizuara ujitjeje dhe metoda bashkëkohore kultivimi.

Gjatë vizitës së tij në këtë qendër, kryeministri Edi Rama vlerësoi investimin si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit profesional dhe transformimit të bujqësisë shqiptare në një sektor më inovativ dhe konkurrues. Sipas tij, ky model bashkëpunimi me eksperiencën izraelite përfaqëson një mundësi të re për rritjen e cilësisë së arsimit dhe për zhvillimin e një bujqësie më efikase dhe të qëndrueshme në Shqipëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fjala e Ramës

Swiss Digital Mobile Reklama

Unë dua ta nis duke falënderuar të gjithë trupën mësimore të shkollës, për përkushtimin dhe kontributin, por edhe për këtë mikpritje, ku me shumë kënaqësi jam së bashku me një mike të çmuar të Shqipërisë dhe një punëtore të palodhur për të bërë të mundura eksperienca si kjo e sotmja, ambasadoren e Izraelit dhe së bashku me të dhe me një grup dashamirësish, ndër të cilët janë edhe tre protagonistët e këtij programi që mi prezantoi ambasadorja pak më parë, të cilët kanë ardhur këtu për të ndarë me pedagogët dhe me studentët eksperiencën e tyre, dijen e tyre dhe çfarë ata kanë mësuar në një vend i cili e ka nisur ngritjen e bujqësisë në shkretëtirë dhe duke mos pasur ujë.

Sot është një vend që është një pasqyrë shembullore e asaj që mund të bëjë mendja e njeriut kur gjendet në situatën që të krijojë rrugë të reja dhe të gjejë shtigjet për t’i mbijetuar kushteve të pafavorshme gjeografike. Në ndërkohë që ne kemi gjithçka na duhet, por ajo që na ka munguar për një kohë të gjatë ka qenë pikërisht një fokus tek inovacioni dhe tek eksperiencat më të mira. Prandaj jam shumë falënderues miqve tanë izraelitë për këtë kontribut këtu dhe duket si një kopsht i një shtëpie, por në fakt është zemra e një ferme eksperimentale, ku siç na treguan edhe drejtorja me njërën nga studentët, këtu bëhen eksperimente me kultura të ndryshme, ndërkohë që në anën tjetër janë edhe bagëtitë me të cilat punojnë nxënësit së bashku me pedagogët.

Sot qëlloi rastësisht që unë të isha përpara se të vija këtu me ish rektorin e famshëm të Universitetit të BOKU-t të Vjenës, që është Universiteti i Bujqësisë, që është Universiteti i Zhvillimit Rural dhe i Burimeve të Natyrës ndër më të famshmit në Europë dhe me të cilin Universiteti ynë Bujqësor ka bërë një partneritet strategjik me synimin që deri në fund të kësaj dekade ne të kemi një njehsim të programeve me Vjenën dhe dekada e ardhshme të jetë dekada ku të gjithë studentët tanë të mund të marrin diploma të barasvlershme me diplomat e Universitetit BOKU të Vjenës.

Edhe sot profesori më dha një informacion të detajuar mbi ecurinë e reformës shumë kuptimplotë që po bëhet në atë universitet dhe mbi hapat e tjerë që duhen hedhur, por arsyeja pse e solla këtu këtë është se me shumë kënaqësi pashë që shifrat e interesimit për t’u bërë pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga ana e të rejave dhe të rinjve janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Edhe kjo vjen si rezultat i faktit që vajzat dhe djemtë e këtij vendi kur shohin një mundësi për t’u edukuar edhe për të arritur të marrin dije cilësore nuk e lënë atë mundësi pa e shfrytëzuar dhe gjithë ato paragjykime dhe gjithë ato stereotipe të krijuara për vite të tëra lidhur me fshatin, me bujqësinë, me Universitetin Bujqësor bien si “kështjella rëre” kur një mundësi reale shfaqet dhe kur si rezultat i një pune të madhe të bërë në këto vite hap pas hapi me vështirësi pa pasur edhe shumë mjete financiare në dispozicion si fillim, krijohen kushtet që pas kësaj gjërat marrin një drejtim tjetër. Kjo është besoj unë edhe arsyeja pse ne kemi të gjitha shkaqet për të qenë optimist edhe për këtë program, edhe për këtë shkollë, edhe për këtë bashki që ka hedhur hapa kurajoze edhe hapa të admirueshëm në drejtim të vënies në shfrytëzim të atyre që ofron sot teknologjia në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, në funksion të uljes së kostove, në funksion të rritjes së cilësisë së mjedisit dhe të pastërtisë së tij e kështu me radhë.

Kështu që më vjen shumë mirë për këtë zhvillim kaq pozitiv në drejtim të bashkëpunimit për sa i përket fshatit, për sa i përket tokës, për sa i përket burimeve ujore dhe një bujqësie cilësore, dhe jam besimplotë se ky është vetëm një hap. Ndërkohë që siç e tha dhe ministri presim me padurim që të firmosim dhe një marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e shtetit të Izraelit për të hapur një kapitull tjetër në këtë marrëdhënie që për ne është shumë e rëndësishme për të marrë sa më shumë dije dhe për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë nga ajo që e ka bërë atë vend një vend shembull, pararojë në inovacion edhe në të gjitha fushat, përfshirë edhe bujqësinë ku siç e thashë asgjë nuk ka qenë në favor të një zhvillimi të suksesshëm, në aspektin e asaj që shteti ka pasur në dispozicion një shkretëtire pa ujë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe në fund faleminderit dhe miqve që kanë ardhur këtu në respekt të ftesës që i ka bërë ambasadorja nga vende të tjera. Uroj shumë që një ditë të rikthehemi dhe të shikojmë të tjera gjëra të bukura të bëra falë këtij bashkëpunimi dhe bashkëpunimeve të tjera që ka shkolla dhe komplimente edhe drejtoreshës edhe faleminderit të gjithëve!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?