Shkëlqim Hajdari uron Kurban Bajramin: “Më afër Zotit është ai që është më afër me njerëzit”
Nga Albert Vataj
Në një mesazh urimi për festën e Kurban Bajramit, Shkëlqim Hajdari ka përcjellë një thirrje për mirësi, solidaritet dhe bashkëjetesë, duke e lidhur simbolikën e kësaj feste me nevojën për më shumë afërsi njerëzore dhe përgjegjësi morale ndaj njëri-tjetrit.
I shoqëruar me fotografi nga Haxhi në Mekë dhe me pamje nga takimet e tij me drejtues të komuniteteve fetare, mesazhi i prefektit të Tiranës merr një dimension jo vetëm ceremonial, por edhe reflektues, duke e vendosur festën në qendër të një komunikimi mbi harmoninë dhe vlerat njerëzore që bashkojnë shoqërinë shqiptare.
“Gëzuar Kurban Bajramin. Kjo është dita e madhe, ku Zoti ka zbrit në tokë mëshirën për krijesën e Tij më të dashur, njeriun. Sprovë, mëshirë, shpërblim”, shkruan Hajdari, duke e përkufizuar festën si një çast të ndërgjegjësimit shpirtëror dhe të afrimit me tjetrin.
Në thelbin e mesazhit të tij qëndron ideja e solidaritetit dhe e përgjegjësisë së përbashkët njerëzore. “Le të jemi të gjithë bashkë, të ndihmojmë, ta duam e ta respektojmë njëri-tjetrin”, apelon ai, në një kohë kur shoqëritë moderne përballen shpesh me ndarje, tensione dhe indiferencë sociale.
Një vend të veçantë në këtë urim zë edhe vlerësimi për harmoninë ndërfetare shqiptare, të cilën prefekti e quan “krenari kombëtare”. Në një vend ku komunitetet fetare kanë bashkëjetuar historikisht në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, ky mesazh vjen si rikujtesë se toleranca nuk është vetëm trashëgimi, por edhe përgjegjësi që duhet ruajtur dhe kultivuar çdo ditë.
Mesazhi përmbyllet me një thënie që sintetizon frymën e Kurban Bajramit dhe filozofinë e afërsisë njerëzore: “Më afër Zotit është ai që është më afër me njerëzit.” Një pohim që e zhvendos fenë nga formaliteti ritual drejt humanizmit, duke e parë devotshmërinë jo vetëm si marrëdhënie me Hyjnoren, por si aftësi për të qenë pranë njeriut, dhimbjes, nevojës dhe dashurisë për tjetrin.
KOHA JONË SONDAZH

