
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore rikthehet në tryezën e diskutimeve të hënën, më 9 nëntor, në orën 13:00. Në mbledhjen që do të zhvillohet në sallën “Pjetër Arbnori” të Kuvendit, në fokus do të jenë detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, projektligji për financimin e partive politike dhe çështjet e tjera të mbetura të reformës.
Sipas Oerd Bylykbashit, komisioni ndodhet tashmë në muajin e fundit të mandatit dhe duhet të përmbushë detyrimin për të krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike. “Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR […] garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor”, deklaroi ai.
Demokrati theksoi se kjo kërkon ndarjen e shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e përdorimit të administratës dhe burimeve publike për interesa elektorale, si dhe ndëshkimin efektiv të personave që kryejnë shkelje gjatë proceseve zgjedhore. Një tjetër çështje ku Bylykbashi kërkon ndërhyrje është vetë sistemi zgjedhor. Ai mbështet kalimin drejt proporcionalit kombëtar, me lista të hapura dhe me më pak pengesa për partitë që synojnë të konkurrojnë në zgjedhje.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë”, u shpreh bashkëkryetari demokrat. Propozimi i tij përfshin edhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë përmes listave të hapura, në vend të sistemit aktual me lista të mbyllura.
Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, Bylykbashi kërkon që ai të garantojë zbatimin e rregullave të financimit dhe të parandalojë përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave. Sipas tij, ligji i ri do të hyjë në zbatim pas zgjedhjeve parlamentare të 9 majit 2027. Ai bëri të ditur se PD ka përgatitur një paketë propozimesh dhe amendamentesh, të cilat do t’i paraqesë në kuadër të punës së komisionit.
Bylykbashi akuzoi PS-në se deri më tani ka orientuar diskutimet drejt çështjeve që nuk lidhen drejtpërdrejt me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe që, sipas opozitës, nuk kanë përparësi për zgjedhjet e ardhshme. “Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR me konsensus dhe garantimi i zgjedhjeve me standarde është detyrim i mazhorancës, jo vetëm i opozitës”, theksoi ai.
