
Zgjedhjet në Serbi dhe rënia e Aleksandar Vuçiç nga pushteti pas 14 vitesh, është temë që po përdoret nga politika në vend. Sali Berisha thotë se Vuçiç duhet të ishte në burg në Hagë prej vitesh. Gjithashtu, kreu i PD-së deklaroi se në Serbi iu bë funerali edhe partisë simotër të Partisë Socialiste në Shqipëri, partisë së Daçiçit, që nuk mori as përfaqësim në parlament.
”Vuçiç prej vitesh duhet të ishte në burgun e Hagës. Ai përcolli Mlladiçin me nderimet më të larta shtetërore. Aleksandar Vuçiç ishte një kukull e Putinit në Ballkan. Populli serb nxori nga politika një nga figurat më të zeza. Atë që nuk bëri dot faktori ndërkombëtar, e bëri rinia e Serbisë. Dje u organizua funerali i partisë si motër së PS-së në Shqipëri, partisë së Daçiç, që e lanë jashtë parlamentit. Goditja e Vuçiç në Serbi është goditje edhe për mikun e tij në Shqipëri Edi Ramën. Rama duhet të mësojë nga ajo që ndodhi në Serbi”,-tha Berisha gjatë një deklarate për shtyp.
Kreu i PD-së, shtoi se Vuçiç dhe Rama ishin njerëzit që dëshironin më shumë ndarjen e Kosovës. ”Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës, organizuan atentate ndaj udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Shqipëri, ndërmorën nisma të porositura nga Kremlini si Ballkani i Hapur, u akuzuan se bashkëpunonin ngushtë në trafiqe kriminale drogë e të tjera ndërkombëtare në komunat në veri të Kosovës”, shtoi Berisha.
