Artiola Toska: “Mirëmëngjes dashni”, pëlqim me dëgjimin e parë

Nga Albina Gjergji

Kur dëgjon zërin brilant të këngëtares Artiola Toska edhe nëse nuk di të kërcesh nuk mund të mos lëvizësh nga vendi. Ajo është padyshim një nga vokalet më të jashtëzakonshme të muzikës qytetare të vendit tonë. E jo vetëm të asaj popullore, por edhe të muzikës së lehtë. Këtë sukses artistja e ka dëshmuar ndër vite me pjesëmarrje në evente të ndryshme madhështore, si dhe me çmimet e pafundme që i renditen si relike në karrierën muzikore. Këtë vit, për herë të parë ajo merr pjesë në Festivalin, “Kënga Magjike 2016”. Me këngën e titulluar, “Mirëmëngjes dashni”, prodhuar nga artisti Flori Mumajesi, në këtë kompeticion Artiola vjen në duet me Brunon, një tjetër talent në ngjitje i shtëpisë së madhe të “ThrëDots Production”. Kënga deri tani, sipas klikimeve në Youtube renditet më e mira, pra në vendin e parë, duke lënë mbrapa balada shumë të ndjera, siç është ajo e Rozana Radit dhe Arilena Arës. E ndërkohë që në “Kënga Magjike” pritet të prezantohen edhe këngë të tjera konkurrente, “Mirëmëngjes dashni” vazhdon të dëgjohet në çdo radio, televizion, makinë, klub a  disko. Pikërisht për gjithë atmosferën që krijon, për emocionet pozitive që ky bashkëpunim i ka dhuruar, si dhe për karrierën në përgjithësi, këngëtarja rrëfen për “Koha Jonë” ndjesitë e saj.

Që në vogëli në skenë dhe e rrethuar me dashamirës të zjarrtë të muzikës. Si ndjehet një këngëtare, teksa përqafon kaq shumë dashuri, sa e motivuar dhe sa “borxhlie”?

Ndjehem shumë e motivuar për të krijuar çdo vit këngë të reja. Borxhlie ndjehem gjithashtu për koncertin recital që s’po bëhem mbarë për ta realizuar prej disa vitesh.

Jeni një nga artistet shqiptare, e cila ka gjithmonë diçka për të thënë, por sot do të ndalemi tek suksesi më i freskët i juaji në bashkëpunim me Brunon, një tjetër artist ky në ngjitje. Si lindi ky duet për tek “Këngës Magjike”?

Duke qenë se unë kam bërë dhe bashkëpunime të tjera me Flori Mumajesin edhe këtë herë ishte e gjithë idea e tij. Gjithashtu ishte dhe dëshira ime e pa shprehur diku për të bërë duet me Brunon. Me sa duket kemi pasur të njëjtin mendim me Florin. E prita sigurisht shumë e gëzuar, sepse më pëlqeu që në fillim.

Njiheshit më herët me Brunon, i cili ndryshe nga ju lëvron në një tjetër rrymë muzikore dhe cili ishte impakti i parë që ju dha vokali i tij?

Në fillim isha pak skeptike në lidhje me pjesëmarrjen time në “Kënga Magjike”, pasi unë s’para i kam qejf konkurrimet as në këngën popullore, por në muzikën e lehtë s’e kisha menduar. E këtë ide e kam pasur jo se nuk i bëj dot, por s’më pëlqejnë garat. Por duke qenë se kënga ishte shumë e bukur thashë, “pse të mos e provoj”?!

“Mirëmëngjes dashni” renditet në treshen më të mirë të “Kënga Magjike” sivjet. Kjo, sipas numrit të klikimeve në Youtube, ku ju kryesoni përballë Arilena Arës dhe Rozana Radit. Çfarë mendoni se ka vlerësuar më shumë publiku tek kjo këngë?

Te kjo këngë besoj se publiku ka pëlqyer muzikën, tekstin, ritmin, ndjenjën që ka brenda dhe sigurisht kombinimi i Brunos me mua është detaj shumë interesant. Pastaj… më thuaj një këngë të Flori Mumajesit që nuk është pëlqyer?! Plus që njerëzit me gjithë këto probleme e halle të përditshme kanë nevojë për alegri e ritëm dhe ne nuk jua kursyem (qesh).

Kush ka menduar për tekstin e këngës?

Për të gjitha ka menduar “Thrëdots Production”.

Besoj i keni dëgjuar edhe këngët e tjera pjesëmarrëse në “Kënga Magjike”. Ka ndonjë emër, kënga e të cilit ju ka pëlqyer vërtetë shumë?

Me aq sa kam dëgjuar nga këngët e tjera pjesëmarrëse kam dëgjuar këngë të mira. Rozana Radi më pëlqen. Edhe tek vokalet e reja ka pasur shumë talente që më kanë pëlqyer.

Hera e parë që merrni pjesë në Festivalin “Kënga Magjike”, eventi më i madh muzikor sot për sot në Shqipëri. Ju si do ta cilësonit këtë ngjarje muzikore Artiola?

Eshte një emocion shumë i madh të marrësh pjesë në një eveniment si “Kënga Magjike” me një organizim perfekt.

Sa i rëndësishëm është për ju teksti i një kënge dhe po të të vinin përballë zgjedhjes së tekstit, apo muzikës, ju kë do vlerësonit si komponentin më të rëndësishëm?

Në një krijim të ri dhe sipas përvojës sime, teksti është baza kryesore në një këngë dhe kur ai është shumë i mirë edhe muzika dhe orkestrimi ecën me sukses.

Nëse do të të krahasonin me një instrument muzikor, me cilin mendoni se ngjani më shumë për nga natyra?

Do të kisha dëshire të ngjaja me instrumentin që dua më shumë, violinën.

Këto ditë kanë qenë shumë të ngarkuara për ju, për vetë faktin se për festat e Nëntorit jeni një nga këngëtarët më të kërkuara nëpër koncerte, sidomos në diasporë. Ku e ndezët festën këtë vit dhe si u kremtuan 28-29 nëntori tek shqiptarët andej?

E mora flamurin shqiptar në Bergamo e çova në Athinë, në Santorini dhe në fund në Firenze dhe do të vazhdoj në Torino.

Gjithmonë aktive vokalisht, po me projektet individuale ku jeni në këtë periudhë? Keni ndërmend ndonjë gjë tjetër të bukur?

Këtë vit, përveç koncertit tim që dua ta realizoj patjeter, sigurisht kam në projekt edhe këngë të re.

Për festat e fundivitit keni menduar?

Për festat e fundvitit, më datë 31 dhjetor (më në fund pas 14 vitesh mungesë) do të jem në Magic4 e më pas në Kosovë.

SHKARKO APP