Elvis Pupa: Politika në emisionin tim?! Më streson

M’fal për shprehjen” është batuta që i shoqëron përditë shqiptarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikë apo fenomene sociale.

“Të del nga shpirti”, tregon aktori Elvis Pupa, i cili pikërisht kështu e ka quajtur spektaklin e tij të ri të humorit.

Pupa, i cili jeton prej vitesh në Amerikë, është rikthyer me këtë projekt, që siç thotë për “VIP Pages” të “Gazeta Shqiptare”, do të ketë 20 episode dhe do të trajtojë fenomene sociale nga më të ndryshmet, të ardhura sigurisht me sarkazëm dhe nota humori.

Politikanët? Janë gjithmonë protagonistë edhe të spektakleve shqiptare, por jo në atë të Elvis Pupës.

“Nuk janë aq të rëndësishëm”, shprehet aktori, teksa thekson se, “ata e kanë fajin që ne jemi në këtë derexhe”.

Rikthim në Shqipëri, rikthim në ekran dhe në një spektakël humori… Çfarë të bindi që të ‘braktisje’ Amerikën? Do të jetë rikthim i përhershëm, apo vetëm për këtë projekt?
Rikthimi është vetëm për këtë projekt. Unë jetoj mes dy shteteve, edhe në Amerikë, edhe në Shqipëri, nuk jam vendosur përfundimisht këtu apo atje. Nuk e kam braktisur Amerikën, por kam ardhur thuajse çdo vit për ndonjë projekt. Jam shkëputur nga Shqipëria fizikisht, por jo artistikisht, nuk kam dashur të shkëputem nga skena. Ia kam dalë duke sjellë gjithmonë diçka këtu dhe kam ardhur për këtë projekt.
“M’fal për shprehjen” është projekt i shkurtër, jo një spektakël që do të vazhdojë?
Po, është me 20 seri dhe mbaron këtë vit. Më pas të shohim, por të kryejmë njëherë këto 20. Nuk kam qejf të parashikoj apo të mendoj për më gjatë.
Ervini ka qenë partneri yt prej vitesh. Pse e ke kaq shumë të dashur dyshen Nini-Vini?
Kjo dyshe është e dashur për publikun dhe mendoj se ka funksionuar më mirë. Edhe dyshet e tjera kanë funksionuar, por për momentin janë personazhe që i kanë munguar publikut dhe më kanë munguar edhe mua. Plus që, edhe veçoritë profesionale të Vinit u përputhen veçorive të mia. Ka kimi mes nesh, jemi në të njëjtën faqe.
Ndonëse pjesë e spektaklit janë edhe disa aktorë të tjerë, është i ngjashëm me një stand-up komedi. Ky ishte qëllimi?
Ky është show i Visit, që ka ftuar të tjerët dhe stand-up është baza, duke qenë se mua më pëlqen si zhanër. Ai është boshti i show-t. Ideja është që të sjellim të gjitha fenomenet që ndodhin dhe stand-up-i i përmbledh më mirë.
Publiku shqiptar është mësuar që në spektaklet e humorit të shohë më shumë politikë, por jo në tëndin. Pse kjo zgjedhje?
Në show sjellim problematika të përditshme, të cilat varen nga qeverisja. Kështu që, në një farë mënyre ata e kanë fajin që ne jemi në këtë derexhe. Unë u bie atyre, por nuk kam dëshirë t’i përmend, sepse nuk janë aq të rëndësishëm.
Megjithatë në episodin e parë ishte ‘i ftuar’ Donald Trump… Je fans i tij?
Ai nuk është politikan shqiptar, ai është politikan. Ai është personazhi që luante Florian Binaj, i cili është bashkëskenarist, dhe e vendosëm meqë korresponduan edhe zgjedhjet atë ditë. Me politikën nuk kam ndonjë lloj afeksioni dhe nuk e marr vesh, nuk e kuptoj dhe nuk dua ta kuptoj.
Do të kesh politikanë të tjerë ‘mysafirë’? Ramën, Berishën?
Jo, nuk kam ndonjë qejf të madh të merrem. Nuk dua të flitet për politikë dhe të kem politikanë të pranishëm. Ky është spektakël argëtimi, jo stresimi. Mjaft na kanë stresuar…
Elvis, në përgjithësi gjatë karrierës tënde ke trajtuar me humor fenomene sociale. Mendon se është detyra e artistit t’i sjellë në vëmendje?
Është dëshira ime që t’i flas publikut me diçka që ai e njeh, preket në forma të ndryshme, dhe bashkë të ironizojmë këto fenomene që nuk janë absolutisht pozitive, nuk janë normale dhe nuk e di pse kemi pasur fatin t’i kemi ne. Nuk i meritojmë.
Është e vështirë të bësh të qeshin në një vend ku ndodhin çdo ditë drama e tragjedi?
Shumë, jashtë mase shumë. Pa dashur t’i shtoj kredite vetes, por, edhe kolegët e mi, edhe unë e kemi shumë të vështirë, sepse duhet t’i shkëpusim nga realiteti. Të huajt janë në një realitet shumë më neutral dhe e kanë më të thjeshtë të gëzojnë. Por është e vështirë edhe të superosh humorin e përditshëm të shqiptarëve si popull, që është në nivele të larta. Për të mos e lëshuar veten nga gjithë këto halle, mundohemi të bëjmë të kundërtën, të krijojmë balancë.
Elvis, kur u fol për rikthimin tënd, thuhej se i zure vendin Ermal Mamaqit. Ka konkurrencë mes jush?
Në fillim nuk ka pasur informacion, por tani e kuptojnë që nuk ka asnjë lidhje. Çdo emision ka përmbajtje të veçantë nga tjetri. Unë jam mik me Ermalin dhe ai me mua, nuk ka konkurrencë mes nesh.
Çfarë ka lënë Elvis Pupa në Shtetet e Bashkuara?
Bashkëshortja është me mua, kam lënë miq e shokë, por do shkoj sërish. Më duket se kam lënë edhe hekurin në prizë.
Çfarë ju tha bashkëshortja kur i tregove se do ktheheshe për këtë projekt?
Tha ‘kthehemi’, pasi ajo më mbështet në çdo gjë që bëj. Madje ajo ishte ngacmuese për të ardhur dhe për ta bërë këtë projekt.
Cila është batuta jote e javës?
E javës dhe e gjithë spektaklit është “M’fal për shprehjen”. Për të gjitha gjërat negative që ndodhin, për të mos thënë fjalën e fundit, e themi me kulturë “M’fal për shprehjen”.
/GSh

SHKARKO APP