“Krapat” e opozitës parlamentare

Kryeministri Edi Rama e ka kthyer në betejë personale hakmarrëse shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Fjalimi i tij kundër kreut të shtetit dukej si një përsëritje e fjalimeve të Enver Hoxhës kur shpallte në presidium “armiqtë e popullit” dhe u jepte anëtarëve të partisë tezat sesi duhet sulmuar dhe asgjësuar një “armik”. Ishte një fjalim me mllef, inaçor dhe jashtë logjikës se një kryeministri. Në seancën për ngritjen e komisionit hetimor, duke u përpjekur jo vetëm të dëmtojë sot figurën e kreut të shtetit, por edhe figurën e politikanit Ilir Meta, nesër. Edi Rama i druhet Ilir Metës sot, por më së shumti e ka frikë Ilir Metën politikan nesër. Ndaj po synon që sot të sulmojë me çdo mjet denigrues dhe aspak burrnor. Por në seancën për ngritjen e komisionit hetimor nuk ishte Edi Rama ai që befasoi me gjuhën e tij fyese. Kryeministri që ka tejkaluar gjithmonë etikën nuk mund të bënte përjashtim në gjuhën që përdori ndaj Presidentit. Ata që befasuan ishin deputetët e asaj që njihet si “opozitë e re”. Në fund të “debateve”, 102 prej tyre votuan pro ngritjes së komisionit për shkarkimin e kreut të shtetit. Të thuash se vota pro një komisioni të tillë është gafë, kjo është pak. Qëndrimi pro qeverisë në këtë nismë ka vetëm një emër, shitje dhe idiotësi politike. Ishin blerë si “krapat” e liqenit në Shkodër.

Veç tre apo katër emrave që folën kundër nismës së PS dhe Ramës, të tjerët votuan njëlloj si deputetët e Rilindjes. Fatkeqësisht edhe më me shumë zell sesa një pjesë e deputetëve të PS.

Të vetmit që janë si krapa në rrjet dhe nuk kuptojnë asgjë se çfarë luhet sot në Parlament me shkarkimin e Presidentit janë deputetët e rinj të opozitës. Në Kuvend ka pasur gjithmonë ndonjë injorant, por idiotë në tufë si ata që votuan kundër kreut të shtetit, nuk ka pasur kurrë. Akti i votimit të ngritjes së komisionit edhe me votat e tyre tregon miopi politike. Në fakt, treguan edhe njëherë se janë vetëm shtojcë e qeverisë dhe nëse u paguan njëherë për marrjen e mandateve, tani po paguhen për çdo votim. Gjithmonë si pjesë e qeverisë dhe jo e opozitës.

Tamam “krapa”!

SHKARKO APP