Mal Berisha Nderohet me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Diplomati i njohur: Kjo dekoratë lidhet me dy figura të shtrenjta për mua që mbajnë të njëjtën titull

 Kjo javë i fali shumë emocione të forta diplomatit dhe studiuesit, Mal Berisha i cili u dekorua me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Për më tepër kur mendon se një titull i tillë mishëron heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbe, bustin e të cilit Mal Berisha e vendosi në mes të Londrës dhe në fshatin arbëresh, Munxhufuni në Itali midis viteve 2012-2013.

Diplomati i njohur u dekorua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar diplomatike dhe publicistike për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë dhe të vlerave më të mira kombëtare e shtetërore, kudo ku ka shërbyer si diplomat e Ambasador, brenda e jashtë vendit”.

Pasi falënderoi Presidentin e Republikës, Nishani për këtë vlerësim, Z. Mal Berisha nënvizoi në fjalën e tij se “Kjo dekoratë nderon çdo përpjekje të bërë për të mirën e kombit tonë, nga të gjithë diplomatët patriotë që i shërbejnë dhe i kanë shërbyer çështjes shqiptare kudo që janë, pjesëtar i armatës së të cilëve e ndjej se kam qenë për mëse 25 vjet.”

Por më tej, kjo dekoratë ishte edhe më domethënëse për Ambasadorin sepse prapa saj do të qëndrojnë gjithmonë dy figura të fuqishme dhe me tepër ndikim në jetën e tij personale dhe profesionale, një fakt që ai e rikonfirmoi edhe gjatë fjalës së tij.

“Por nuk mund të mos përmendja kuptimin e veçantë që ka për mua kjo dekoratë pasi lidhet me dy figura, jetën dhe veprën e të cilëve e kam studiuar për shumë vite dhe e kam bërë të njohur për lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Ata të dy mbajnë po këtë dekoratë: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: Amerikani Charles Telford Erickson, i cili i kushtoi jetën Shqipërisë , Mbajtës i dekoratës “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, akorduar nga Madhëria e Tij, Mbreti Zog I, në vitin 1931; dhe Herman Bernstein, Ambasador Amerikan në Mbretërinë Shqiptare 1930 – 1933, Mbajtës i dekoratës ” Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” akorduar nga Madhëria e Tij, Mbreti Zog I, në vitin 1934.

Pas botimit të dy librave “Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir” dhe “Shqiptarët, europianët më të lashtë e më të rinj”, në vitin 2012, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Mal Berisha nxori në dritë një vepër të re mjaft interesante rreth jetës dhe veprës së amerikanit Charles Telford Erickson. Më pas do ti futej një pune të gjatë e këmbëngulëse për të nxjerrë në dritë lidhjet e një personaliteti të shquar Amerikano – Hebre me Shqipërinë, Herman Bernstein, ish Ambasador Amerikan në Tiranë nga viti 1930 – 1933, libri për të cilin pritet të dalë në treg. Vepra të tilla kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë shqiptarët kudo ku janë.

Një dekoratë e tillë nënvizoi edhe njëherë moton udhërrëfyese personale të Ambasadorit Berisha se: “Unë nuk mund ta imagjinoj të jetoj në këtë botë pa bërë gjëra të mira të cilat e di që mund t’i bëj.”

Ky dekorim u komentua shumë në median sociale nga miqtë, kolegët dhe dashamirësit e Ambasadorit Berisha duke e quajtur këtë një vlerësim të merituar për punën e bërë me devotshmëri ndër vite ndërsa nënvizonin se ata e kishin dekoruar Z. Mal Berisha që shumë vite më parë me Medaljen e Mirësisë Njerëzore!

Vlerësimi për diplomatët

Me të njëjtin titull, u nderuan edhe katër Ambasadorë të tjerë shqiptarë, Roland Bimo, momentalisht Ambasador i Shqipërisë në Austri, Artur Kuko, momentalisht Ambasador në Republikën Federale Gjermane dhe Ambasadoret Kujtim Xhani dhe Valter Ibrahimi.

 

SHKARKO APP