PROFIL/ Cilët janë 63 martirët e klerit katolik të masakruar 1944-1949
*Nga Kastriot Dervishi
63 martirët e klerit katolik shqiptar të masakruar nga komunistët në vitet 1944-1989
Në një ditë të shënuar si kjo e nderimit të klerikëve katolikë të masakruar nga regjimi komunist, nga studimet e mia, po bëj publike listën që do gjeni më poshtë. Në përcaktimin e listës janë marrë parasysh dy kritere:
-Dënimi me vendim të formës së prerë me pushkatim.
-Humbja e jetës në hetuesi apo gjatë vuajtjes së dënimit .
Krimet politike janë referuar në kuptim të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, i ndryshuar, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Të gjithë klerikët e mëposhtëm, plotësojnë të gjitha përcaktimet e këtij ligji. Kam shënuar emrat që lumnohen dhe ato që kanë munguar për arsye të pashpjegueshme të jenë pjesë e këtij nderimi. në një botim të mëvonshëm dio publikoj gjithë historinë e persekutimit, përfshi edhe emrat e persekutorëve dhe derivateve të tyre. Ja lista e klerikëve të masakruar nga komunistët.
1-Patër Lek Luli (1908-1944). Vritet pabesisht së bashku me shoqëruesin e tij nga komunistët e batalionin “Perlat Rexhepi”në Tropojë më 16.7.1944. Pas vrasjes i grabisin paratë që mbante me vete (Nuk figuron në listën zyrtare).
2-Dom Lazër Shantoja (1892-1945). Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në Tiranë më 5.3.1945. Akuzohej si bashkëpunëtor i Mustafa Krujës, “element kryengritës”, “reaksionar”, bashkëpunëtorit i “Gjon Markagjonit, etj”, “fashist i flaktë”, etj.
3-Dom NdreZadeja (1891-1945). Dënohet me vdekje dhe pushkatohet më 23.3.1945 në Shkodër. U akuzua se strehoi Lazër Shantonë.
4-Dom Mark Gjani (1909-1945). Torturohet dhe vdes në shtator 1945 në Mirditë.
5-Patër Leonard Tagaj (1910-1945). Vritet pa gjyq më 4.2.1945 në Traboin. (Nuk figuron në listën zyrtare).
6-Papa Pandi (1910-1945), meshtar unit, vrarë në Korçë në tetor 1945. (Nuk figuron në listën zyrtare).
7-Dom Alfons Tracki (1896-1946). Klerik gjerman. Dënohet me vdekje dhe u pushkatua më 25.7.1946 në Shkodër, së bashku me Kol Ashikun, Llesh Marash Vatën (varje në litar), Nikoll Prek Dedën. U akuzuan si “kriminelë lufte, armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit popullor dhe strehues”. Nuk është gjendur procesverbali i ekzekutimit.
8-Dom Zef Marksen (1900-1946). Klerik gjerman. U dënua me 2 vjet burgim duke u akuzuar “për shpirt nazist”. U vra pas shpine më 16.11.1946 bashkë me patriotët e tij Rudolf Waber dhe Jozepf Kutzen në Kukës, gjoja se po “arratiseshin”.
9-Atë Bernardin Palaj (1894-1946). Vdes në hetuesi më 2.12.1946 Shkodër.
10-Atë Gjon Shllaku (1907-1946). U dënua me vdekje për pjesëmarrje në një organizatë “fashiste”, “profashiste” e “terroriste”, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua më 4.3.1946 në Shkodër.
11-Atë Gjovani Fausti (1899-1946). Klerik italian. U dënua me vdekje për pjesëmarrje në një organizatë “fashiste”, “profashiste” e “terroriste”, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua më 4.3.1946 në Shkodër.
12-Atë Daniel Dajani (1906-1946). U dënua me vdekje për pjesëmarrje në një organizatë “fashiste”, “profashiste” e “terroriste”, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua më 4.3.1946 në Shkodër.
13-Xhakon Mark Çuni (1920-1946). Themelues i Bashkimit Shqiptar të xhakojve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4.3.1946 në Shkodër.
14-Patër Anton Harapi (1888-1946). U dënua me vdekjesi “kolaboracionist” dhe u pushkatua më 20.2.1946 në Tiranë së bashku me Lef Nosin dhe Maliq Bushatin.
15-Dom Nikoll Gazulli (1891-1946).Vritet pa gjyq më 23.3.1946 në Malësi të Madhe. (Nuk figuron në listën zyrtare).
16-Imzot Nikoll Tusha (Nogaj) (1895-1946).Vritet më 14.9.1946 në Mal të Zi. (Nuk figuron në listën zyrtare).
17-Patër Bernard Llupi (1886-1946). Dënohet me vdekje Prizren në një proces ku së bashku me 26 persona të tjerë. U akuzua nga OZN-a jugosllave për krijim organizate patriotike. U pushkatua më 25.11.1946 së bashku me MarieShllakut, Kolë Parubin dhe Gjergj Martinin. (Nuk figuron në listën zyrtare).
18-Dom Luigj Pici (1907-1946). Dëshmoi pro klerikëve katolikë dhe u vra në Koplik pabesisht e pa gjyq më 10.11.1946. (Nuk figuron në listën zyrtare).
19-Dom Luigj Prendushi (1896-1947). Akuzohet si “strehues kriminelësh” dhe dënohet me vdekje. U ekzekutua në Shkodër më 23.1.1947 para popullit. Kleriku tjetër Ndoc Suma u dënua me 30 vjet burgim të rëndë. U dënuan po ashtu bashkë me të edhe Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni.
20-Dom Dedë Maçaj (1918-1947), (Dedë Gjon Gjonaj). Duke qenë ushtar, u akuzua “për përhapje parullash disfatististe, për marrje mesazhesh nga Vatikani, për mospëlqim të PKSH-së”, etj. Gjykata shënonte se kishte bërë “18 vjet shkollë për prift”. U gjykua së bashku me Rrok Gjurën që u dënua me 1 vit burgim. U pushkatua më 28.3.1947 në Përmet.
21-Atë Serafin Koda (1893-1947). U torturua dhe vdiq në hetuesi më 11.5.1947 në Shkodër.
22-Vëlla Gjon Pantalia (1887-1947). U arrestua në tetor 1946. U torturua shumë gjatë hetuesisë dhe vdiq në spital më 31.10.1947.
23-Imzot Frano Gjuraj (1893-1946). Arrestohet dhe torturohet rëndë. Pa dalë e gjyq e lirojnë. Nga plagët e rënda vdes dy muaj pas lirimit, më 20.11.1947. (Nuk figuron në listën zyrtare).
24-Atë Ciprian Nika (1900-1948).“Tregon armiqësinë kundër pushtetit popullor dhe kundra komunizmit”-shkruhet në një dokument të Sigurimit. U akuzua se gjoja mbante armë dhe dokumente propagandistike në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. U dënua me vdekje dhe në javën e parë të marsit 1948 u ekzekutua. Nuk është trashëguar procesverbal ekzekutimi. U dënua së bashku me Pal Dodajt (u dënua fillimisht me vdekje, por iu kthye në dënim të përjetshëm).
25-Imzot Frano Gjini (1886-1948).U gjykua së bashku me këto persona: Dom Nikoll Zef Deda, Patër Mati Prenushi, Patër Gjon Karma, Dom Tom Laca, ish deputeti Zef Kolë Haxhia, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Nikoll Shelqeti, Patër Mëhill Miraj, Zef Pllumi.
U akuzuan se kanë punuar “për ardhjen e fashizmit gjatë luftës, kanë punuar për fashistizimin e vendit, janë bërë agjentë të Gestapos, kanë luftuar partizanët, kanë zhvilluar agjitacion e propaganda kundër pushtetit”, etj, etj. U dënua me vdekje e u pushkatua më 11.3.1948 në Shkodër.
26-Atë Mati Prendushi (1887-1948). U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 11.3.1948 në Shkodër.
(Së bashku me Frano Gjinin dhe Mati Prenushin është pushkatuar edhe Nikoll Zef Deda, i cili mungon në listën zyrtare).
27-Dom Anton Muzaj (1921-1948). Akuzohet si “nxitës i rinisë kundër pushtetit”. U torturua rëndë. Vdes prej torturash mbas hetuesie, në vitin 1948 në Shkodër.
28-Dom Anton Zogaj (1900-1949). U gjykua së bashku me Imzot Viçens Prenushin dhe Dom Pal Gjinin. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Durrës më 9.3.1948. U akuzuan “për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë”.
29-Dom Ejëll Deda (1917-1948). U akuzua se ishte pjesëtar i Bashkimit Shqiptar, por u arrestua në vitin 1947. U dënua me 10 burgim. Vdiq më 12.5.1948 në spitalin e burgut të Shkodrës, mbas torturash të rënda.
30-At Josif Papamihali (1912-1948). “Agjent i propagandës unite dhe armik i pushtetit popullor” – shkruhet në një dokument të Sigurimit. Arrestohet në v.1946. Akuzohet se propagandonte kundër të ashtuquajturit “pushtet popullor” se ishte në lidhje me UNRRA-n, etj dhe dënohet me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdiq në kampin nr.1 në Maliq më 26.10.1948.
31-Dom Dedë Plani (1889-1948). U arrestua në Koplik. U torturua shumë e nuk mund ta nxirrnin në gjyq. Vdiq në spital më 30.4.1948.
32-Dom Aleksandër Sirdani (1925-1948). U torturua mbyt së gjalli në ujërat e zeza në Koplik më 31.7.1948.
33-Dom Pjetër Çuni (?-1948). U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në ujërat e zeza në Koplik më 31.7.1948.
34-Imzot Gjergj Volaj (1905-1948). U akuza për pjesëmarrjen në kryengritjen e Postribës, por u arrestua disa muaj pas saj. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 3.2.1948 së bashku me Cin Serreqin, Bilbil Hajnin, Xhelal Hardollin dhe Dulo Kalin. (Nuk figuron në listën zyrtare).
35-Dom Nikoll Laskaj(1898-1948).U akuzua për “strehim kriminelësh” dhe u dënua me 2 vjet burgim e punë të detyruar.Vdes në kampin e Bedenit më 15.5.1948. vëllezërit mundën t’ia marrin trupin e ta varrosin në Mirditë. (Nuk figuron në listën zyrtare).
36-Dom Nikollë Shelqeti (1893-1948). U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në vitin 1948 në kampin e Bedenit në Kavajë. (Nuk figuron në listën zyrtare).
37-Patër Nikoll Zef Deda (1890-1948). U dënua me vdekje e u pushkatua më 11.3.1948 në Shkodër. (Nuk figuron në listën zyrtare).
38-Dom Mark Bicaj (1911-1949) (Mark Kolë Ndoji), (1911-1948). U dënua me 15 vjet burgim duke u akuzuar si “spiun i Jakomonit” dhe “për strehim kriminelësh”. Vdes në burgun e Shkodrës më 1948. (Nuk figuron në listën zyrtare).
39-Imzot Vinçenc Prenushi (1885-1949). U gjykua në vitin 1947 së bashku me Dom Anton Zogaj dhe Dom Pal Gjinin. U akuzuan “për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë”. Ndërroi jetë më 19.3.1949 në burgun e Durrësit.
40-Dom Jak Bushati (1890-1949). U akuzua se strehonte “kriminelët”. U torturua dhe vdiq në hetuesi më 12.9.1949 në Shkodër.
41-At Gaspër Suma (1897-1950). U arrestua më 1948. U akuzua se gjatë luftës “ishte vënë në shërbim të fashistëve” duke agjituar në dëm të komunistëve, ndërsa pas lufte ka bërë pjesë në “organizata fashiste”, “socialdemokrate” duke propaganduar kundër PKSH-së e pushtetit komunist. U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në burgun e Shkodrës më 14.4.1950.
42-Rishtare stigmatine MariaTuci (1928-1950). U akuzua së bashku me Gegë Ndue Gjinin për “strehim kriminelësh” dhe u dënua me 3 vjet burgim e punë të detyruar, vendim i cili iu kthye 2 vjet me kusht. Arrestohet më 5.9.1950. Dënohet më 13.9.1950. Vdiq nga torturat më 24.10.1950.
43-Imzot Jul Bonati (1874-1951). Akuzohet për bashkëpunim me fashistët gjatë luftës dhe anglo-amerikanët e UNRRA-s pas lufte. U dënua me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në çmendinë më 5.5.1951.
44-Patër Pal Doda (1880-1951).Ishte akuzuar së bashku me Ciprian Nikën për armët në kishë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Vdes në burgun e Shkodrës më 5.9.1951. (Nuk figuron në listën zyrtare).
45-Dom Rrok Frisku (1892-1952).Të dhënat rreth tij janë të pakta. Është arrestuar në vitin 1947 në Mirditë, është dënuar me 12 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit më 30.4.1952. (Nuk figuron në listën zyrtare).
46-Atë Karl Serreqi (1911-1954). Akuzohet “për strehim kriminelësh” dhe fillimisht dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet me burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 4.4.1954.
47-Patër Klement Miraj (1882-1956). Akuzohet se “mbante lidhje me gjermanët gjatë luftës”, se e ka paraqitur komunizmin “rrezik botëror”, etj. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me 20 vjet burg e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit 21.11.1956. (Nuk figuron në listën zyrtare).
48-Dom Ejell Kovaçi (1920-1958). U akuzua për lidhje me “spiunazhin e huaj”, me Pal Bib Mirakajn, “për terror”, etj. Më 13.11.1958 dënohet me vdekje dhe pushkatohet. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Nik Pepa, Angjelina Kovaçi (e motra), Dedë Marashi dhe Gjok Kola. (Nuk figuron në listën zyrtare).
49-Dom Dedë Malaj (1920-1959). U akuzua “për tradhti ndaj atdheut” (arratisje d.m.th.) dhe “agjitacion e propagandë. U pushkatua në breg të liqenit të Shkodrës më 12.5.1959. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Patër Konrat Gjolaj, Lazër Parubi, Gjon Parubi, Lulash Petali, Gjeto Budashaj dhe Lash Toni.
50-Dom Ndoc Suma (1887-1962). U dënua më 1946 me 30 vjet burgim i akuzuar “për strehim kriminelësh”. Vuaj 8 vjet burg dhe lirohet nga burgu në v.1954. Vdiq në vitin 1962 pas vuajtjesh të shumta. U dënua së bashku me shtetasit e tjerë: Luigj Prendushi (ekzekutuar), Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni. (Rasti për t’u diskutuar pasi ka vdekur 8 vjet pas daljes nga burgu).
51-Patër Rrok Gurashi (1894-1965). Arrestohet (disa muaj pas ngjarjes) në vitin 1947 i akuzuar për pjesëmarrje në kryengritjen e Postribës. U dënuar me burg të përjetshëm e punë të detyruar. U lirua në vitin 1949, por u arrestua sërish në vitin 1956 duke u akuzuar si “agjent i zbulimit italian” dhe se kishte “dhënë informata” kundër Partisë së Punës dhe të ashtuquajturit “pushtet popullor”. U dënua me vdekje, pushkatim, por dënimi iu kthye nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me burg të përjetshëm. Vdes 1.1.1965 në burgun e Burrelit. (Nuk figuron në listën zyrtare).
52-Dom Zef Bici (1919-1968).Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë.
Dënohet së bashku me klerikët Mark Dushi, MarkDoshi, FranoIlija, Gegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet më 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).
53-Mark Dushi (1920-1968),akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë.
Dënohet së bashku me klerikët Zef Bici, Mark Doshi, Frano Ilija, Gegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet më 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).
54-Dom Marin Shkurti (1933-1969). Mundi të arratisej në Jugosllavi me 8 persona të tjerë, por jugosllavët e kthyen në Shqipëri. U dënua me vdekje dhe u pushkatua vitin mars 1969.
55-Dom Shtjefën Kurti (1898-1971). Dënohet me 20 vjet burg për krime kundër shtetit e për bashkëpunim me grupin e Sami Qeribashit. Lirohet më 2.3.1963 nga burgu i Burrelit. Arrestohet për herë të dytë në vitin 1970 në Gurzë të Krujës. Akuzohet për agjitacion e propagandë dhe sabotim. Në të vërtetë u dënua sepse pagëzoi një fëmijë. U pushkatua më 20.10.1971 në Tiranë. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. Punëtori operativ i Sigurimit që i përgatiti dosjen sot merr pension suplementar nga shteti.
56-Dom Mikel Beltoja (Hil Gjoka) (1935-1974). U akuzua “për tradhti ndaj atdheut të mbetur në tentativë, për agjitacion e propagandë, kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të pushtetit dhe për mashtrim më shumë se një herë”. “Mashtrim” komunistët quanin pagëzimet që bënte kleriku i ndjerë. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 10.2.1974.
57-Dom Prekë Nikçi. Ka vdekur gjatë torturave në hetuesinë e Krujës më 15 mars 1974. Nuk ka të dhëna të tjera. (Nuk figuron në listën zyrtare).
58-Imzot Ernest Çoba (1913-1980). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për “strehim kriminelësh” shumë vite më parë, “për lidhje të fshehta me Vatikanin”, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Lec Sahatçija, Kolë Toni dhe Zef Hardhija.
Vdes në spitalin e burgut Tiranë më 7.1.1980. (Nuk figuron në listën zyrtare).
59-Dom Mark Zef Doshi (Hasi) (1920-1981). Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. U dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet burg. Vdes në repartin 309 Ballsh 1.10.1981. (Nuk figuron në listën zyrtare).
60-Dom Anton Doçi (1915-1982). Dënohet në vitin 1971 me 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Arrestohet në kampin e punës së detyruar të Spaçit në vitin 1977 dhe dënohet me 10 vjet burgim të tjera për agjitacion e propagandë. Vdes në repartin 309 Ballsh 9 dhjetor 1982. (Nuk figuron në listën zyrtare).
61-Dom Lec Sahatçija (1906-1986). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për “strehim kriminelësh” shumë vite më parë, “për lidhje të fshehta me Vatikanin”, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Ernest Çobën, Kolë Toni dhe Zef Hardhija. Vdes në burgun e Zejmenit në Lezhë 4.4.1986.
62-Dom Kol Mark Gjinaj (1910-1987). Në vitin 1979 akuzohet “për agjitacion e propagandë e minim të pushtetit popullor”.Vdes në 16.3.1987, në moshën 77 vjeçare në burgun e Zejmenit.
63-Dom Pjetër Gruda (Gjeloshi) (1922-1989). Në vitin 1979 dënohet me 25 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Dënohet se bashku me Anton Nikën e David Lukën. Vdes i paralizuar në repartin 305 Sarandë më 13.1.1989 në moshën 67 vjeçare.
Shënim: Në listën zyrtare të shpallur bëjnë pjesë edhe persona që nuk janë klerikë. Këto janë:
-Qerim Sadiku (pushkatuar 4.3.1946) 27 vjeç, ngaVuthaj i Gucisë, i martuar me një fëmijë, ish rreshter xhandarmërie.
-Gjelosh Lulashi Bajraktari (pushkatuar 4.3.1946), 20 vjeç, nga Ndrecaj i Shoshit Dukagjin, ish oficer, ushtar në spitalin ushtarak.
-Fran Miraka (pushkatuar më 3.7.1946), 29 vjeç, nga Iballa e Pukës, tregtar.
Në rast se do pranohej si kriter që në listë të ishin persona që nuk kanë qenë klerikë, atëherë lista do ishte shumë më e gjatë.
Fotoja bashkëlidhur është e vitit 1974. Ekspozimi në popull i sendeve personale të Dom Mikel Beltosë, i cili pas pak javësh u pushkatua.
*Botuar prej historianit ne Facebook