Rrugëtim me orë për dijen – mësuesja e pazakontë

Fjala “gjakmarrje” nuk dëgjohet me dëshirë në Shqipëri. Por ajo ekziston, megjithëse jo fenomen i gjerë mbetet tragjedi për familjet e përfshira. Një mësuese përpiqet t’u sjellë shpresë fëmijëve të familjeve të izoluara.

Ajo ka një zë të butë dhe pamjen e kujdesur të një mësueseje, megjithatë nuk është një mësuese e zakontë, së cilës i mbaron mësimi me rënien e ziles. Liliana Luani, mësuese e shkollës fillore në shkollën “Pashko Vasa”, Shkodër shkon tre herë në javë pas mësimit në fshatrat përreth Shkodrës për t’u dhënë mësim fëmijëve që jetojnë të izoluar për shkak të gjakmarrjes në familje. Kësaj i shtohet në fundjavë një udhëtim një orë më makinë, 45 minuta me varkë dhe gjysmë orë në këmbë për të mbërritur në fshatin Mazrek të Dukagjinit e fshatrat përreth tek “fëmijët e saj”, siç i quan mësuesja 56 vjeçare këta fëmijë. 30 fëmijëve të tillë ajo u jep mësim në bazë të një plani javor të zhvilluar vetë, me libra shkollorë të ardhura nga donacione të ndryshme. Liliana Lani nuk harron t’u japë detyra shtëpie fëmijëve, që i kontrollon në orën e ardhshme mësimore.

Albanien | Lehrerin Liliana Luani unterrichtet Kinder von Blutracheopfern (DW/L. Arapi)Rrugës për të dhënë mësim tek familjet e izoluara

Gjakmarrja – plaga që gjithmonë rrjedh

“Aq sa edhe më lodh kjo gjë, po aq më jep edhe kënaqësi, kur shkoj tek këta fëmijë. Veç t’i shikoni sytë e tyre si shkëlqejnë, kur më shohin. Ata më rrëfejnë sekrete, më flasin për ëndrrat që kanë në jetë.” Ka dhjetë vjet që Liliana Luani mëson fëmijët e izoluar, fillimisht nisi si një detyrim moral për t’i dhënë diçka vendlindjes së saj, rrëfen ajo. E vetme e pa ndihmë nga fshati në fshat, ndërkohë zëri i saj dëgjohet, sepse institucionet shqiptare e kanë nisur të vlerësojnë punën e mësueses së palodhur. Me sa duket kur nuk arrijnë të shuajnë gjakmarrjen, të paktën të ndikojnë që këta fëmijë të izoluar të marrin mësim në shtëpi. Normalisht ata duhet të shkojnë në shkollë, si të gjithë fëmijët shqiptarë, por për ta nuk mund të flitet për një fëmijëri normale. Gjakmarrja, kjo plagë e vjetër ende e pashëruar e shoqërisë shqiptare, u bllokon këtyre fëmijëve të ardhmen. Shumë prej tyre nuk dinë të shkruajnë e lexojnë, vuajnë traumën e izolimit, dhe përpiqen gjithnjë të dalin jashtë mureve, megjithëse është e rrezikshme.

Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, Igli Totozani mbi gjakmarrjen kritikohet mungesa e interesit të shtetit për shuarjen e këtij fenomeni: “Gjakmarrja nuk është vlerësuar seriozisht nga strukturat shtetërore, të cilat fatkeqësisht nuk kanë dëshiruar që ta pranojnë atë. Këtë qëndrim e tregon edhe fakti që nuk ka statistika të sakta nga policia për numrin e të vrarëve për gjakmarrje, të familjeve dhe të personave të ngujuar.”

“Duhet të sillemi si europianë”

Një tjetër problem përbën edhe ekzistenca e shifrave të ndryshme mbi përhapjen e fenomenit. Ndërsa organizatat joqeveritare apo Komitetit e Pajtimit flasin për shifra të larta, zyrtarisht jepen shifra më të ulta. Një punonjëse e një organizate jo qeveritare në Shqipëri që nuk do të përmendet me emër thotë, se shteti ka interes për shifra të ulta, ndërsa organizatat e pajtimit për shifra të larta, sepse u intereson financimi. Shifrat zyrtare për gjakmarrjen sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, Genti Mullai: ” 140 persona me liri të kufizuar, ndër ta 20 fëmijë të moshave të ndryshme.”

Albanien | Lehrerin Liliana Luani unterrichtet Kinder von Blutracheopfern (DW/L. Arapi)Duke dhënë mësim tek fëmijët e izoluar

Mësuesja Liliana Luani nuk u beson shifrave, për të edhe një fëmijë i vetëm i izoluar është shumë. Ajo kërkon një qasje më të organizuar të shtetit kundër këtij fenomeni. “Duhet një studim i zgjeruar që shteti të njohë vërtet situatën si është, dhe ajo ndryshon përditë. Nuk ka mundësi që shqiptarët të vrasin veten këtu dhe pastaj të kërkojnë azil në vende të tjera. Ne jemi europiane e duhet të sillemi si të tillë.”

Vetëgjyqësia – mungesa e besimit te shtetit

Vërtet ligjvënësi shqiptar e ka rritur dënimin për shkak të vrasjes me paramendim për gjakmarrje deri në 30 vjet, por në një vend si Shqipëria krahas institucioneve të drejtësisë nuk është shuar vetëgjyqësia. Shpesh familjet në gjakmarrje duan vetë të marrin gjakun. Nga ana tjetër familjet nga vjen vrasësi, nga frika e zemërimit edhe më shumë të familjes tjetër, nuk guxojnë të shkojnë tek institucionet e shtetit, një provë kjo për mungesën e besimit në shtet. Në raste të tilla fëmijët mund të lëvizin vetëm atëherë kur kanë besën për paqen të palës kundërshtare. Në rast të kundërt, ata nuk shkojnë në shkollë dhe izolohen në shtëpi.

Albanien | Lehrerin Liliana Luani unterrichtet Kinder von Blutracheopfern (DW/L. Arapi)Mësuesja Liliana Luani

Mësuesja Liliana Luani që i viziton këta fëmijë në shtëpi, e di se kur shkel pragun e një familje në gjak, nuk është më thjesht mësusese. Në familje të tilla nuk është vetëm frika, por edhe varfëria shumë e madhe. “Nganjëherë më duhet të organizoj edhe ndihmë mjekësore. Shpesh këto familje janë të vetmuara  e pa ndihmë”, thotë ajo.

Kështu ora mësimore me fëmijët e izoluar nuk është thjesht shkrim e këndim, edhe bisedat me prindërit janë më shumë se vëmendje për histori tragjik. “Shumë fëmijë rriten me psikologjinë e urrejtjes, nga ata pritet që të shlyejnë gjakun. Nuk është e lehtë t’ua bësh të qartë këtyre fëmijëve, se bëhet fjalë për një krim. Unë përpiqem t’i edukoj me tolerancë dhe frymën e pajtimit, por influenca e familjeve është shumë e madhe”, thotë Liliana Luani. Një mësuese që punon vullnetarisht edhe si psikologe, edukatore, punonjëse sociale, e për fëmijët e izoluar, asaj i duhet të ushtrojë një profesion të ri, – shpresëdhënëse.

SHKARKO APP