Sali Berisha, unë dhe e vërteta e dosjes klinike të Edi Ramës
Nga Mero Baze
Po përpiqem t’iu jap disa udhëzime në cilësinë e njeriut që e ka njohur nga afër dikë që dikur ishte problem politik, kurse sot është problem social dhe estetik.
Së pari, nëse doni të kuptoni vizionin e Berishës për të qeverisur vendin, apo si ka qeverisur vendin, shikoni se çfarë akuzash bën. Të gjitha akuzat e tij, janë dëshira të parealizuara të tij, ose përvoja që i kanë kënaqur epshet e pushtetit që ka patur.
Kur akuzon për vjedhje, mendon se çdo bënte vetë, po ta kishte në dorë. Kur merret me thashetheme, mendon se nga çfarë ka frikë kur është në pushtet, kur flet për seksin dhe orgjitë e kundërshtarëve, është duke folur për frustrimet e tij seksuale, incestet në familje, dhe mërinë e gjatë të nënës që nuk i foli derisa vdiq, kur flet për divorce e martesa, ka parasysh panikun që i shkaktojnë martesat gati incestore në familje, dhe akoma më shumë, martesat për lekë. Ndaj më shumë se sa të shikoni kundërshtarët e tij, përpiquni të lexoni në shfrimet e tij, ëndrrat dhe përvojat e veta.
Akuzat e Berishës vizatojnë autobiografinë më të mirë të tij, të ngjizur më mirë se çdo do ta bënte çdo autor i talentuar.
Së dyti, nëse doni të kuptoni si i ka punët politikisht me aleatët tanë, SHBA apo partnerët e tjerë perëndimorë, shikoni kur flet për Kosovën. Sa herë izolohet, sa herë humbet pushtetin, sa herë e ndjen se është i rrezikuar, ai mendon se Kosova është shpëtimi i tij.
Kur vodhi zgjedhjet në vitin 1996 dhe nuk përballonte dot ofensivën amerikane kundër tij, ktheu sytë nga Kosova, bëri thirrje për largimin e Rugovës, ndryshimin e kursit paqësor dhe zëvendësimin e tij me Demaçin. Kjo i kushtoi dhe humbjen e Kosovës, dhe humbjen e miqësisë me Rugovën, dhe goditjen përfundimtare nga Perëndimi.
Pas një izolimi të gjatë trevjeçar, kur nuk e priste as roja i ndonjë Ambasade, në vitin 1999 ai ishte në gjendje të rënduar psiqike dhe filloi fliste përditë për Kosovën, ndërkohë që fatin e saj e kishte marrë në dorë SHBA dhe NATO. Fliste herë pro, herë kundër saj, herë pro Rambujesë, herë kundër saj, herë pro Rugovës, herë kundër tij, herë pro ofensivës së NATO-s, herë e kritikonte se s’po përdornin tomahokët, vetëm e vetëm që dikush t’i thoshte “çfarë halli ke?”
Nuk i tha asnjënjeri, derisa Kosova u çlirua.
I xhindosur ngaqë nuk e pranonin në asnjë zyrë të Perëndimit, u nis nga Kukësi të shkonte në Kosovë, por as aty nuk e lejuan. Është i vetmi udhëheqës shqiptar që i është refuzuar viza dhe për Kosovë, natyrisht me urdhër të SHBA-së dhe Perëndimit, dhe dakordësinë e lidershipit shqiptar atje.
Viza për në SHBA nuk është asgjë para kësaj.
Dhe i është ndaluar kur në Kosovë nuk ngeli më njeri pa shkuar, dhe romët që lypnin në Bulevard.
Ligjërimi i tanishëm politik i tij, përkon ekzaktësisht me atë kohë. Mos u lodhni të diskutoni a ka vizë për SHBA.
Shikojeni si flet për Kosovën, si merret me Hashim Thaçin, si bën sikur nuk e di që ai është në një gjatësi vale me Shtëpinë e Bardhë, për të kuptuar hallin e tij.
Nuk është puna se ka, apo s’ka vizë për në SHBA, se po të kishte, do mjaftonte provokimi i Ramës, që ai t’i hipte avionit e të bënte selfie në Uashington.
Problemi që ai ka, është se i është hequr viza si politikan kundër interesit shqiptar dhe amerikan në rajon.
Nëse doni të kuptoni makthet e tij, do të shikoni se ai përzgjedh të viktimizojë njerëz që ai nuk u gjen dot fakte për t’i përbaltur, megjithë fantazinë digitale që ka.
Ka kaq kohë që merret me Linda Ramën, gruan e kundërshtarit të tij Edi Rama, pikërisht pse ajo nuk bën atë që ka bërë gruaja e tij. Nuk ka shoqëri me oligarkët e burrit të vet, nuk e shikon kurrë me biznesmenët që marrin tendera publikë, shpesh në rrugë të pandershme, nuk e shikon të drejtojë gjoja ndonjë fondacion, nuk e ka parë me Rezart Taçin në krah, nuk e ka parë t’u vërë gjoba biznesmenëve që bënin sikur blinin piktura nga 150 mijë euro për llogari të saj, nuk ka rrjet nepotik si ajo, dhe çmendet pse ajo punon si profesioniste dhe paguhet si e tillë, pamvarësisht pushtetit të burrit.
Është aq i obsesuar pas saj, sa i quan krim faktin që ka ndarë një burrë dhe është martuar me një tjetër, dhe ndoshta me mendjen e tij këtë e quan dhe epërsi të gruas së tij mbi të.
I numëron Edi Ramës gratë, a thua se Linda nuk ja di, na tregon me fantazinë e tij si është ndarë me to, me kë janë martuar ato më pas, çfarë ka bërë ky pasi është ndarë me to etj, se kështu beson që kaq shumë gra që ka në jetën e tij Edi Rama, sikur nga pak të këqija të jenë, bashkë ja arrijnë gruas së tij. Dhe ngushëllohet.
Së fundmi, nëse doni të kuptoni pse ka 12 vjet që më sulmon mua dhe i jam bërë makth, duke vazhduar të më përmendë nëpër Parlament e në emisione televizive, duke u çuar si lugat në mesnatë, sa më dëgjon emrin, shikoni se si nuk gjen dot asnjë argument për të sulmuar, por mendon se ka armë të fortë faktin që gazeta TemA ka sulmuar në vitin 2000 Edi Ramën, dhe që një nga djemtë e mij ka fituar bursën e ekselencës për Master në Universitetin e Londrës.
Gazeta TemA ka qindra shkrime kundër Edi Ramës, biles disa shumë të ashpër dhe të drejtë, dhe disa që kanë pasur burim Sali Berishën si kjo dosja që permend, natyrisht fiasko të turpshme.
Për të qenë i qartë deri në fund në atë histori që mendon se është peng Edi Rama, po i kujtoj se ai i ka ofruar gazetës TemA dhe gazetës “RD”, botimin e asaj dosje dhe asaj që e paraqiti si “kartelë” shendetësore të Edi Rames. Dosjen e serviri si dosje origjinale të Gjykatës, kurse kartelën kam frikë se e ka plotësuar dhe vetë, pasi ishte format i viteve ‘80.
Ma ka dhënë dosjen në zyrë të tij, duke më thënë se e kishte siguruar nga njerëz të afërt të ish- gruas së Edi Ramës. Dhe meqë përmend dosjen origjinale, ajo me siguri është në Gjykatë, dhe Gregu ka të drejtën e zotit të ballafaqojë dosjen e ofruar nga Berisha për TemA-n dhe “RD”, dhe orgjinalen, se Rama eshte i qartë çfare është ajo histori.
Ligësia e tij që ka mundur të përdorë gazetën TemA, ndërsa mua nuk ka mundur të më mbajë dot peng me atë pisllëk, duket se i është bërë obsesion për 20 vjet. E paska pasur ëndërr të jetës atë gjë. Kjo natyrisht e bën pis atë pjesë të historisë së gazetës, por po të ishim ndryshe, ne do ishim Neë York Times, e jo një gazetë shqiptare, dhe kjo as na turpëron, dhe as na komplekson.
Fakti që nuk jemi peng të Sai Berishës dhe Edi Ramës na bën të ndjehemi mirë. Dhe akoma më shumë, fakti që ky njeri nuk di ç’të thotë për mua, por i kujtohen histori të 20 viteve më parë, na bën dhe më krenarë, si njerëz të lirë.
Por meqë nuk kam dashur të përgjigjem më parë për sulmet ndaj djemëve të mi, pasi e di që ka kompleksin e djalit të vet, po e sqaroj sot përfundimisht.
Unë kam dy djem, jo një, se tjetrit i ka mbetur qejfi që nuk e sulmojnë, pasi sapo ka mbaruar me “Diplome Nderi” në Queen Mary në Londer. Të dy kanë mbaruar të njëjtin Universitet për bachellor në Cambrige, me diploma nderi të klasit të parë.
Të dy kanë fituar master në Londër. I pari në UCL, që është brenda dhjetë Universiteteve më të mira të botës, i dyti në Quin Mery, që është pak më poshtë në rankim, por ndër më të mirët e botës.
Të dy kanë mbaruar me rezultate shumë të mira dhe masterat me shpenzimet e mija.
Sipas një ligji të Sali Berishës në vitin 2008, çdo student shqiptar që pranohet në një nga 15 universitetet më të mira të botës, shteti shqiptar i paguan tarifën e shkollës, (jo strehimin dhe ushqimin) dhe studenti kundrejt një kontrate, është i detyruar të punojë pastaj dy vjet në administratën shqiptare.
Im bir u pranua për master në UCL, që këtë vit është brenda dhjetë Universiteteve më të mira të botës. Mua nuk më njohin në Londër që ta ma fusin djalin me mik në Universitet. As Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Koincidenca është se ministre e Arsimit në atë kohë, ka qenë ministria teknike e Lulzim Bashës, dhe ajo alarmoi Saliun, por dhe po mos ta kishte firmosur ajo, mund t’ia merrja me gjyq, se i takonte sipas ligjit që ka bërë vetë Berisha.
Çdo student shqiptar që pranohet në një nga 15 Universitetet më të mira të botës, i bën nder Shqipërisë, nëse ja pranon ato para burse, pasi do vij të punojë në Shqpëri. Ndryshe i ka rrugët e hapura në çdo vend të botës me atë diplomë.
Ky ligj është nga të paktat gjëra të mira që Sali Berisha ka bërë për këtë vend, jo për tim bir. Ai e ka fituar atë me djersë të tij, siç e ka fituar vajza e Astrit Patozit, e Ferdinad Xhaferrit, e Ndre Legisit dhe e shumë figurave të tjera publike në vend.
Tani, për t’i kthyer borxhin Berishës kam një betim. Meqë Berisha ka plot nipër e mbesa, nëse dikush prej tyre pranohet në një nga 15 Universitetet më të mira të botës, si djali im, dhe Berishët nuk kanë lekë t’ia paguajnë, se mund t’ua ketë bërë nusja rrush e kumbulla me fotot në Instagram, të më njoftojnë se do t’ua paguaj unë, që të paktën të dalë dhe një Berishë i shkolluar tamam në këtë vend.
Makthi i tij real është pikërisht suksesi i fëmijëve të të tjerëve dhe imazhi i fëmijëve të tij, që kanë lënë prindër jetimë, që kanë çuar në varr vogëlushin Edison nga Vora duke luajtur me biçikletë, dhe që u bëjnë karshillëk shqiptarëve duke u mbushur mendjen se lekët ua ka sjellë nusja me dyqanin e brekëve në Bllok.
Berisha është pikë e vrer vetëm për këtë shkak, pasi e shqetëson fakti që jo të gjithë armiqtë e tij i kanë fëmijët si ai.
Ai është njeriu që fëmijët e mi e njohin që të vegjël, dhe që kanë parë në adoleshencën e tyre se si ai u hidhte makinën në erë para pallatit, si rrethonin punën e babait me policë për të mbyllur gazetën, si masakronin çdokënd nga kushërinjtë e tyre pse kishte mbiemrin tonë, dhe si terrorizoheshin miqtë e vjetër të babait, nëse ndesheshin në rrugë me ta, duke mos u folur dot.
Këtë portret krimineli nuk ua heq dot nga mendja fëmijëve, edhe pse nuk u kam folur kurrë për të.
Në fund dua t’u them se kur dëgjoni Berishën të akuzojë, jeni duke parë çfarë ëndërron ai të ishte, dhe kur merret me familjet e tjerëve, është duke projektuar fatin e zi që e ka ndjekur me fëmijët dhe gruan e tij, që së bashku përbëjnë një familje të kriminalizuar. Ndiqni këtë udhëzim dhe do ta kuptoni lehtë.
Personalisht sot e quaj fat dhe ndëshkim të drejtë nga Zoti, ta shikoj këtë njeri në këtë gjendje që është katandisur. Ashtu e mbylltë jetën, duke vajtuar dhe klithur kundër gjithçkaje të mirë që i vret sytë.
Fundi i një njeriu i ngjan jetës së tij, dhe jeta e tij është e gjithë ligësi.